Njerëzit të mbyllur në shtëpi prej pandemisë, OKB: Mbroni gratë dhe vajzat nga partnerët abuzivë!

schedule09:11 - 6 Prill, 2020

schedule 09:11 - 6 Prill, 2020

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë një apel global për mbrojtjen e vajzave dhe grave që ndodhen në shtëpi për shkak të vetë-izolimit në këtë kohë pandemie.

Thirrja e Guterres vjen si shkak i rritjes së rasteve të dhunës brenda në familje për shkak të mbylljes së anëtarëve të familjes nëpër shtëpi për të shmangur koronavirusin.

Dhuna, u shpreh ai, nuk është e limituar brenda fushave të betejës. “Për fat të keq, shumë gra dhe vajza janë të rrezikuara nga dhuna pikërisht aty ku duhet të jenë të mbrojtura, në shtëpitë e tyre.”

Antonio Guterres shtoi gjithashtu:

“Pandemia e COVID-19 po shkakton vuajtje të pashpjegueshme njerëzore dhe shkatërrim ekonomik në të gjithë botën. Së fundmi bëra thirrje për një armëpushim të menjëhershëm global për t’u përqëndruar në luftën tonë të përbashkët për të kapërcyer pandeminë. Kam bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës kudo, tani. Por dhuna nuk kufizohet në fushën e betejës. Për shumë gra dhe vajza, kërcënimi afrohet më së shumti aty ku duhet të jenë më të sigurta. Në shtëpitë e tyre. Dhe kështu unë bëj një thirrje të re sot për paqe në shtëpitë në mbarë botën. Ne e dimë se karantinat janë thelbësore për shtypjen e COVID-19. Por ato mund të “bllokojnë” gratë me partnerë abuzivë. Gjatë javëve të fundit ndërsa presioni ekonomik dhe social e frika janë rritur, ne kemi parë një rritje globale të tmerrshme të dhunës në familje. Në disa vende, numri i grave që thërrasin shërbime mbështetëse është dyfishuar…Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive të bëjnë parandalimin e dhunës ndaj grave një pjesë kryesore të planeve të tyre kombëtare për të luftuar COVID-19.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!