Në fjalën e tij për të shënuar hapjen e javës së Shenjtë, dhe para një bazilie të boshatisur në Shën Pjetër, Papa u bëri apel të rinjve që të kthejnë sytë nga heronjtë e vërtetë, ata që u shërbejnë të tjerëve në këtë situatë dramatike
Në një bazilikë të boshatisur si pasojë e koronavirus, Papa celebroi të Dielën e Palmave. Ai u shpreh së në dramën e pandemisë, përballë shumë sigurive që thërrmohen, në ndjenjën e braktisjes që vret zemrën, Jezusi u thotë të gjithëve: Kurajë: hap zemrën ndaj dashurisë time. Do të ndeshësh ngushëllimin e Zotit që të mbështet.”
Ishte kjo fjala hapëse e Papa Franceskos që shënoi fillimin e ritualeve të javës së shenjtë. Më pas ai bëri apel që në këto ditë, teksa qëndrojmë mbyllur, të kontaktojmë me ata që janë vetëm dhe që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos mendojmë vetëm për ata që na merr malli.
Gjatë celebrimit solemn liturgjik të së dielës së Palmave dhe Pasionit të Zotit, që u transmetua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Bazilika e Shën Pjetri e boshatisur për shkak të COVID -19, Papa foli dhe për domosdoshmërinë për të rizbuluar se jeta nuk shërben nëse ti nuk shërben, pasi jeta matet me dashurinë.
Gjithmonë duke folur për dashurinë, Papa tha se e kaluara ikën, por dashuria mbetet dhe drama që po përjetojnë na detyron të marrim seriozisht gjërat e të mos harrohemi pas vogëlsirave.
Në fund të fjalës të tij ai iu drejtua të rinjve: Shihni heronjtë e vërtetë, ata që këto ditë dalin në dritë: nuk janë ata që kanë famë, para dhe sukses, por janë ata që japin veten e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Ndihuni gati për të vënë jetën në pah. Mos kini frikë ta shpenzoni për Zotin apo për të tjerët, do të dilni të fituar. Sepse jeta është një dhuratë që merret duke u dhuruar”, përfundoi ai./abcnews.al