Me xhupin e Juventus dhuron “show” në rrugët e Tiranës, ndërkohë që në mediat italiane skenën e merr si tifoz i bardhezinjvë. E pranon hapur që nga bota e sportit ka mësuar shumë dhe i pëlqen Jose Mourinho. Po nga futbolli e gjen edhe strategjinë për të mposhtur Coronavirusin.
Taktika e Arrigo Sacchit është më efikasja, sipas Edi Ramës, kryeministrit të vendit tonë. Shumë futboll kur flet, por asnjë qindarkë e programuar për ata që mundohen të argëtojnë sportdashësit në vendin tonë. “Nuk është koha për të ndihmuar futbollin”, thotë Rama, i cili vijon të ngacmojë kombëtaren e Shqipërisë.
Në stadium është e vështirë ta shohësh, përveç ndonjë rasti të veçantë, kur inaugurohet ndonjë stadium. Sigurisht nuk mund të mungonte me Francën, kur hapi dyer “Air Albania Stadium”. Këto kohë Shqipëria e futbollit nuk i shqitet nga goja dhe e përdor sa herë ia ka qejfi të bëjë paralelizma dhe analogji.
Ndodhi edhe sot, kur u bën thirrje njerëzve të jenë të kujdesshëm dhe të mos grumbullohen nëpër tregje. “Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial”, shkruan Rama i shqetësuar.
Më pas vjen momenti i kombëtares dhe nuk mungon ironia: “Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, në qoftë se do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”. /abcnews.al