Fondi 5 milion €, dënimi me burg dhe Capital T: Flet presidenti Agim Ademi

schedule16:59 - 3 Prill, 2020

schedule 16:59 - 3 Prill, 2020

Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi, ka folur për Fan Zone në Supersport, aty ku preku shumë tema. Ademi zbuloi se emrin “Trim”, ia ka vendosur ai djalit të tij Capital T, si dhe sqaroi si do të shpërndahet fondi 5 milion euro i dhënë nga Qeveria për sportin. Nuk mund të mungonte as një koment mbi vendimin e dhënë ndaj tij për dënim me burg…

“Po punojmë online, nga shtëpia, por unë zakonisht dal. Jemi gjithmonë në punë, 24 orë në ndihmë të klubeve të futbollit. 5 milion eurot? Më e rëndësishme është jeta e njerëzve, e të gjithëve. Sigurisht, që Qeveria jonë ka dhënë 5 milion euro për sportin, kulturën dhe rininë.

Ende nuk janë shpërndarë, nuk e dimë ende sa do të jetë shuma vetëm për sportin, pastaj sa do të jetë vetëm për futbollit. Ne do të kërkojmë edhe nga UEFA dhe FIFA të na ndihmojnë, pasi ne nuk jemi shtete të pasura për ta kaluar këtë situatë pa ndihmë. Klubet e futbollit në Kosovë financohen nga pronarë që kanë biznese dhe me mbylljen e tyre, është e vështirë të investohet në sport dhe të likuidohen shpenzimet.

Sigurisht që ne do të mundohemi të jemi afër klubeve, faktikisht jemi afër klubeve. I kemi ndihmuar me një shumë emergjente që në fillim, ka qenë një ndihmë që u bë për shkak të situatës surprizë, na zuri keq dhe të papritur. Kemi shkuar te të gjitha klubet dhe iu kemi thënë që jemi të gatshëm për t’i ndihmuar gjithmonë.

Do mundohemi t’i lirojmë klubet nga shpenzimet deri në fund të sezonit, por dënimet nuk do t’ua fal. Ato para, do të investohen sërish në sport. Por për pjesën tjetër, klubet nuk do të paguajnë asnjë gjë deri në fund të sezonit.

Tani për tani, nuk kam një shifër të qartë se sa kanë qenë humbjet. Nuk e di, por humbje ka. Ne mendojmë që të rifillojmë kampionatin normalisht, përveçse do të ketë ngarkesë më të madhe. Do të luhen edhe dy ndeshje në javë. Them se nëse fillojmë nga java e dytë e majit, mund ta përfundojmë kampionatin e rregullt. Kjo është dhe dëshira ime.

Nuk kemi përcaktuar ende një shumë për t’iu shpërndarë klubeve, pasi po mbledhin fonde nga sponsorët tanë, po presim dhe fondin e Qeverisë, si dhe po presim dhe një ndihmë nga UEFA dhe FIFA. Do të bëjmë një shumë total dhe do t’i shpërndajmë te të gjitha klubet, jo vetëm të IPKO Superligës. Edhe arbitrat dhe delegatët e ndeshjeve do t’i rimbusojmë. Normalisht, do të jetë shumë mbijetese, jo pagat e plota.

Capital T? Po, është djali im, ia kam vendosur unë emrin Trim! Gjatë, shkurt: Trim. Po e zbuloj këtu se ai ka qenë dhe futbollist shumë i mirë, përveçse ka pasur talent gjithmonë në muzikë. Ka luajtur edhe me grup-moshat e Kosovës, ka qenë kapiten. Por talentin e ka marrë nga ana e mamit, e dini që e ka dhe dajën këngëtar (2po2).

Dënimi me burg? Normalisht, nuk pritet mirë. Ka ndodhur në 2012-ën, dhe është ende aktive. Po pak rëndësi ka kjo, rëndësi ka që Gjykata do të japë një vendim të fundit pas disa kohësh”, tha Ademi./abcnews.al