Reja: Shqipëria dha leksion, krenar që drejtoj kombëtaren. Si më bindi Rama

schedule16:18 - 31 Mars, 2020

schedule 16:18 - 31 Mars, 2020

Të gjithë italianët janë emocionuar dhe mahnitur nga veprimi i Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë Italisë me 30 mjekë në luftën ndaj koronavirusit. Shteti fqinj është më i prekuri në planet nga COVID-19 dhe kryeministri Edi Rama kreu një gjest shumë të bukur solidariteti në emër të popullit shqiptar.

Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja ka dhënë një rrëfim interesant për Corriere dello Sport. Ai flet për solidaritetin e veçantë të vendit tonë, bujën e madhe dhe emocionet që ka shkaktuar në Itali, teksa e mbyll me Ramën, i cili ishte personi që e bindi të ulej në stolin e kombëtares kuqezi.

Ishte një gjest i jashtëzakonshëm dhe një demonstrim se sa afër Italisë ka qenë gjithmonë populli shqiptar. Edi Rama tregoi disponibilitet dhe ftoi mjekët më të mirë shqiptarë të niseshin drejt një zone të prekur nga koronavirusi si Bergamo. Ishte një surprizë e mirëpritur për mua, ndihem krenar që drejtoj kombëtaren shqiptare.

 

Armand Duka dhe Edi Reja

 

Kam marrë shumë mesazhe, trajnerë, lojtarë, miq, të njohur, të gjithë janë prekur nga humanizmi i Edi Ramës dhe popullit shqiptar. Mendoj se është një shembull për t’u shpërndarë nëpër botë. Një komb më pak i pasur se shumë të tjerë në Europë tregoi një solidaritet të pashembullt.

E njoh mirë Edi Ramën, ishte ndër njerëzit që më bindi të pranoja propozimin e FSHF-së. E kam njohur në Romë. Isha trajner i Lazios dhe luanim kundër Juventusit, skuadër me të cilën është tifoz. Erdhi me Igli Taren. Organizuam një darkë në hotelin tim afër Ponte Milvio, ishte edhe Lotito.

Ia njoh vlerat që ka si njeri. Vitin e kaluar më mori në telefon dhe më tha: ‘Çfarë po bën në shtëpi? Pse nuk vjen për të drejtuar Shqipërinë?’ Sot ndihem edhe më i lumtur dhe krenar që iu përgjigja pozitivisht”, deklaron Edoardo Reja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!