Dyndje qytetarësh në tregjet e fruta-perimeve, në tregun e Kombinatit qytetarët tregohen të pakujdesshëm

schedule18:42 - 28 Mars, 2020

schedule 18:42 - 28 Mars, 2020

Këto nuk janë pamje të blerjeve në kohë feste, por janë në kohë pandemie.

Kjo ishte situata kaotike e qytetarëve të cilët po bënin blerje gjatë së shtunës në tregun e fruta-perimeve në Kombinat.

Askush nuk respekton distancën nga njëri-tjetri edhe pse virusi COVID-19 ka prekur vendin tonë tashmë.

Të gjithë janë dyndur për të blerë pa dallim moshe pasi deri të hënën në mëngjes nuk mund ta bëjnë më një gjë të tillë.

Situatë e ngjashme me qytetarë të pakujdesshëm teksa blejnë vërehet edhe në tregun e fruta-perimeve pranë Vasil Shantos në kryeqytet.

Efektivët e policisë u bëjnë thirrje gjatë gjithë kohës atyre që blejnë që të ruajnë distancën nga njëri-tjetri.

ABC News bëri një vëzhgim edhe në tregun e Kamzës, ku situata duket disi më e qetë, pasi prania e efektivëve të policisë ka sjellë një ndërgjegjësim tek qytetarët, këtë e pohojnë edhe tregtarët.

Megjithatë ka edhe tregje të cilat janë mbyllur shumë më herët se orari i përcaktuar nga qeveria, siç është ky treg në zonën e Vorës.

Jashtë kamerës një tregtar u shpreh se blerjet janë kryer herët në mëngjesin e së shtunës dhe pas rënies së fluksit tregu është mbyllur, për t’u rihapur sërish vetëm të hënën në mëngjes./abcnews.al