A duhet t’i dimë emrat e të prekurve nga COVID-19? Shteti kundër, juristët të ndarë

schedule13:01 - 27 Mars, 2020

schedule 13:01 - 27 Mars, 2020

Mali i Zi vendosi që t’i publikojë të dhënat e plota të pacientëve me koronavirus në faqet e saj zyrtare dhe po përditëson vazhdimisht në mënyrë publike të dhënat e atyre personave që duhet të jenë të izoluar.

Po si është situata në Shqipëri?

E vetmja që bëri përjashtim pak ditë më parë ishte Bashkia Fier, e cila tregoi emrin e një të infektuari, në mënyrë që ata që e kishin kontaktuar të izoloheshin.

Ministria e Shëndetësisë nuk publikon asnjë të dhënë përveç moshës së viktimave. Të njëjtin qëndrim mbajti për “ABC News” edhe Komisionari për të Dhënat Personale, i cili na orientoi tek ky udhëzim.

“Situata e krijuar nga përhapja e virusit COVID-19 nuk përbën shkak të ligjshëm për mosrespektimin e të drejtës së çdo qytetari për mbrojtjen e të dhënave të tij personale dhe, rrjedhimisht, për mosrespektimin e jetës së tij private, të cilat, së bashku, përbëjnë një kategori të drejtash vetjake të mbrojtura nga Kushtetuta.

Veçanërisht i rëndësishëm, në këtë kontekst, është përpunimi i të dhënave që lidhen me shëndetin e qytetarëve, sidomos të dhënat lidhur me infektimin nga COVID-19, si dhe sëmundjet e tjera të cilat, në kombinim me COVID-19, mund të kanosin seriozisht shëndetin dhe/ose jetën e qytetarëve. Këto informacione përbëjnë të dhëna sensitive”, u shpreh ai.

Juristi, Jordan Daci thotë se privatësia e një pacienti nuk është me e fortë se shëndeti i shumë të tjerëve.

“Është e qartë që interesi publik për mbrojtjen e shoqërisë nga përhapja e virusit dhe jetës së individëve, që mund ti rrezikohet jeta si pasojë e infektimit, është shumë herë më i rëndësishëm sesa jeta private e këtyre individëve. Gjykoj, që në kushtet që jemi kemi marrë vendime të cilat kufizojnë të drejta po kaq të rëndësishme”, u shpreh ai.

Nuk mendon kështu avokati Ledio Braho që e konsideron kartelën shëndetësore të secilit një të dhënë që duhet të mbahet sekrete.

“Të dhënat sensitive sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhëna që kanë të bëjnë me shëndetin. Momentin që jep pëlqimin, çdo gjë është në rregull, në konform me ligjin. Gjurmimi i kontakteve nuk është i nevojshëm të bëhet nëpërmjet medias apo konferencës për shtyp. Momentin që të dhëna të tilla publikohen, jemi në kushtet e cënimit të një parimi Kushtetues. Edhe për personelin mjekësor është detyrim mbrojtja e të dhënave”, tha Braho.

Deri më tani, ministri e shëndetësisë publikon vetëm moshën e viktimave, qytetin ku banonin si dhe sëmundje të tjera shoqëruese të tyre. Media po ashtu në përgjithësi nuk i ka publikuar emrat e të infektuarve, edhe kur i ka ditur ato. Përjashtim është bërë për persona me profil të lartë publik./abcnews.al