Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e thirrur nga LDK-ja për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të mbahet paradien e së mërkurës.
Lajmi është konfirmuar nga kreu i grupit parlamentar të Nisëms Haxhi Shala i cili ka sqaruar se për mbajtjen e seancës, kryesia e kuvendit ka vendosur me 4 vota pro dhe 2 kundër. Kundër mocionit është shprehur kryetarja aktuale e kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani. Në një konferencë për mediat ajo ka thënë se beson tek qeveria Kurti të cilën e cilëson të qeveri të shpresës dhe të pakorruptuar. Osmani ka ftuar deputetët që të mos votojnë mocionin e mosbesimit të LDK-së. Kryetarja e Kuvendit ka shprehur shqetësimin edhe për mbledhjen e seancës ditën e mërkurë pasi sipas saj në kushtet e përhapjes së koronavirusit sallat nuk i plotësojnë kushtet.
Nga ana tjetër ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë i bëjnë thirrje kreut të LDK-së të tërhiqet nga macioni i mosbesimit për të rrëzuar qeverinë Kurti. Përmes një letre drejtuar zëvendës kryeministrit Avdulla Hoti ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt i ka kërkuar që në kushtet e sfidave me të cilat po përballet vendi, të njoftojë kreun e LDK-së Isa Mustafa të rishikojë qëndrimin e partisë së tij dhe të mbajë një qeveri të besueshme dhe stabile për t’u përballur me sfidat./abcnews.al