Interi mund të pësojë ndryshime në verë. Një nga lojtarët që mund të largohet është mbrojtësi Diego Godin. Uruguaiani ka luajtur vetëm 12 ndeshje si titullar në kampionat dhe raportohet se dëshiron të rikthehet sërish në Spanjë, ku më parë ka shkëlqyer me Atletico Madrid.
Corriere Dello Sport zbulon edhe lojtarin që mendohet ta zëvendësojë Godin dhe bëhet fjalë për Marash Kumbullën. Qendërmbrojtësi i Hellas Verona ka bërë një sezon super në Serie A dhe mund të përshtatet lehtë në skemën me tre mbrojtës që Conte përdor. Raportohet se në arkat e Hellas Verona do të shkojnë 20 milion euro, një shifër spekulative duhet thënë.
SULMI – Romelo Lukaku nuk mjafton dhe te Interi vijojnë të mendojnë për Oliver Giroud, i cili do të ishte një opsion për trajnerin Antonio Conte. Sulmuesi francez del lojtar i lirë në verë dhe zikaltrit do tentojnë ta bindin atë për të nënshkruar me ta. Kampioni i botës kërkohet edhe nga Lazio, por edhe nga klube të tjera.
Emri tjetër që vijon të lakohet është Pierre-Emerick Aubameyang. Gazzetta dello Sport shkruan se sulmuesi nga Gaboni shikohet si zëvendësuesi ideal i Lautaro Martinez. Argjentinasi thuhet se është objektiv i Barcelonës dhe nga shitje a tij në arkat e Interit do shkonin më shumë se 100 milion euro.
Nga ana tjetër Arsenali është i detyruar të mendojë për shitjen e Aubameyang, pasi kontrata atij i përfundon në qershor të vitit 2021 dhe “Topçinjtë” nuk do të rrezikojnë ta humbasin me parametra zero. Te Interi gjithashtu e kanë ndarë mendjen edhe për një lojtar tjetër dhe ai është Alexis Sanchez, i cili nuk do të blihet nga Manchester United dhe në verë pritet të rikthehet në Premier League. /abcnews.al