Nexhipi: Besojmë te titulli, ka një mënyrë për t’ia marrë fronin Tiranës

schedule08:59 - 19 Mars, 2020

schedule 08:59 - 19 Mars, 2020

Nderim Nexhipi, drejtori sportiv i Kukësit, një ditë më parë foli në emisionin “Fan Zone”, që transmetohet në Sport News në platformën Supersport. Ish-mesfushori fillimisht foli për situatën që ka përfshirë vendin tonë dhe për ndalimin e futbollit.

“Është një moment i vështirë, nga ata që ndodhin shumë rrallë. Më vjen mirë që autoritetet reaguan shpejt dhe ndalën futbollin, pasi në këto çaste vëmendja duhet të përqendrohet te shëndeti i njerëzve”, tha fillimisht Nexhipi, i cili mendon se kjo periudhë e ndihmon Kukësin të plotësohet me gjithë grupin.

“Në fakt nuk po kalonim aspak një moment të mirë dhe kjo kryesisht për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme dhe pezullimeve me kartonë, pasi prej kohësh nuk po luanim me formacionin më të mirë. Besoj se kjo periudhë do të na ndihmojë të rikuperojmë të gjithë lojtarët dhe të jemi gati për sprintin final”.

 

Në lidhje me mbylljen e garës, Nexhipi shton: “Me aq informacione sa kam unë, UEFA ka vendosur që të gjithë kampionatet të përfundojnë brenda 30 qershorit dhe besoj se kemi kohë mjaftueshëm të mbyllim kampionatin rregullisht, duke parashikuar edhe një rifillim në javët e fundit të prillit apo të parat e majit”.

Si ndikon ky pushim i gjatë tek ekipet? Drejtori Sportiv i Kukësit e komenton kështu: “Është një aspekt për t’u marrë në konsideratë, por mendoj se djemtë janë seriozë dhe po mundohen të ruajnë formën edhe gjatë kësaj kohe izolimi. Shumë shpejt do të rifillojmë edhe stërvitjen, për të qenë në formë sa më të mirë në fazën finale të kampionatit”.

 

 

Ngjeshja e kalendarit është e pashmangshme, por Nexhipi nuk e shikon si problem diccka të tillë dhe këtë e bazon tek organika që Kukësi ka: “Mendoj se kemi një organikë të plotë dhe jo vetëm 11 lojtarë. Mendoj se çdo lojtar i yni është i aftë të luajë në formacion, ndaj them se do ta përballojmë më së miri”.

Në fund Nexhipi flet edhe për objektivin titull dhe shanset që Kukësi ka: “Kemi bërë një sezon të mirë dhe për një farë kohe ishim edhe të shkëputur në krye, por më pas erdhi Tirana, që po bën mjaft mirë dhe ka fituar shumë ndeshje radhazi, duke u shkëputur në krye.

Besoj te titulli, pasi kemi edhe 10 javë për të luajtur, mes tyre edhe ndeshje direkte me Tiranën, ndaj nëse bëjmë edhe ne të njëjtën gjë si ata, duke fituar shumë takime radhazi, titulli nuk është i pamundur”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!