Partizani nuk gjen qetësi me arbitrat: Humbëm prej tyre

schedule22:23 - 19 Shkurt, 2018

schedule 22:23 - 19 Shkurt, 2018

Partizani bëri sulme të tjera ndaj arbitrave pas ndeshjes së humbur me Kukësin. Drejtori sportiv, Olsi Rama, deklaroi se gjykimi ishte me dy standarde dhe ishte shkaktar i disfatës.

Nuk do të lodhen duke e thënë deri në fund.

Partizani sulmoi sërish gjyqtarët në përfundim të ndeshjes së humbur ndaj Kukësit, me drejtorin sportiv Olsi Rama, që vendosi të dilte në konferencë përpara zv. trajnerit Dalipi.

Pasi e hijezoi Dalipin përpara takimit, Rama e bëri edhe pas tij, duke pasur në shënjestër arbitrin Kridenc Meta në prononcimin për Supersportin.

Olsi Rama: “Dola në një konferencë për shtyp të premten edhe thashë që këtu ka një tentativë për të falsifikuar kampionatin. Edhe normalisht sot ishte evidente, që pati një gjykim, për mua skandaloz dhe kur erdha këtu dhe pashë Nexhipin këtu thashë se kishit marrë protagonistin e ndeshjes Kridenc Meta. Faktet e tregojnë vetë: kjo është e qëllimshme! Po e shohim sesi jepen, ndeshje për ndeshje në disfavorin tonë”.

Pamjet me përsëritje tregojnë se Partizanit iu anulua gol me të drejtë, dhe se kartoni i dytë i verdhë ndaj serbit Kulum ishte i saktë, veçse Rama mendon se gjykimi ishte me dy standarde, sidomos në rastin e Bakajt.

Gjithsesi, pyetja vjen natyrshëm: A ka qetësi tek skuadra e Partizanit, pasi lojtarëve u është deklaruar hapur se të gjithë janë kundër tyre?

Olsi Rama: “Kam shkuar në pushim në dhomat e zhveshjes dhe kam thënë: “absolutisht as edhe një diskutim me arbitrin, arbitrin konsiderojeni sikur e keni kundërshtar”. Qetësia është një atribut, që ne duhet ta kemi por nuk mund ta lemë që të bëhemi një lojë në duart e disa njerëzve”.

Trajneri i Kukësi, Peter Pakult, i kënaqur me fitoren, pranoi sportivisht se skuadra e tij pati edhe fat.

Peter Pakult: “Mendoj që pjesa e parë ishte me një lojë intensive nga të dyja anët. Pjesën e dytë, ekipi tregi një karakter me të vërtetë shumë të fortë dhe arritëm ta kthejmë. Të them të drejtën mendoj që ekipi jonë me plot meritë arriti të fitojë ndeshjen sot. Ishte një moment kyç, kur lojtari i Partizanit u ndëshkua me karton të kuq. Mendoj që kampionati është ende shumë i gjatë dhe do të ndodhin shumë gjëra deri në fund”./abcnews.al