UEFA u mblodh sot dhe vendosi shtyrjen e EURO 2021 dhe kjo i jep mundësinë kampionateve në Europë të mbyllen. Për këtë arsye u mor ky vendim dhe pritet të ndahen edhe datat për Champions League dhe Europa League, sikurse edhe për sfidat e kampionateve.
FSHF ka zbuluar disa detaje të kësaj konference që mbajti UEFA me anëtarët e saj dhe mësohet se Ipko Superliga e Kosovës do të duhet të mbyllet deri më 21 qershor, kurse Superiorja deri më 30 qershor. Gjithçka brenda kohës së sezonit të rregullt, për të shmangur problemet e kontratave që futbollistët kanë me klubet.
Sa i takon takimit Maqedoni e Veriut-Kosovë, në Nations League, si dhe të takimeve të tjera, është vendosur që të luhen në muajin qershor dhe jo tani në mars, sipas programit të menduar më parë.
NJOFTIMI I FSHF – UEFA përmes kësaj video-konference, vendosi krijimin e një grupi të posaçëm pune për të rakorduar kalendarët e rinj të eventeve vendosur në këtë takim. Në takim u theksua se UEFA po punon intensivisht për të pasur skenarë në çdo situatë të mundshme që mund të përballet Europa. Federatat anëtarë pranuan në parim këto propozime të UEFA-s.
Lidhur me ndeshjet kombëtare:
• Shtyrja e EURO 2020 për në muajt qershor-korrik 2021 (11 Qershor- 11 Korrik 2021);
• Ndeshjet ndërkombëtare të marsit shtyhen për në dritaren ndërkombëtare të qershorit 2020;
• Ri-skedulohen ndeshjet e kualifikimeve europiane (që ishin planifikuar për në qershor 2021);
• Do të ndryshojnë datat e kompeticioneve të tjera që ishin planifikuar mes muajve qershor-korrik 2021 si UNL Final4 / EURO U21 / Europiani i femrave;
• Lojtarët do të lejohen nga klubet të marrin pjesë në ndeshjet kombëtare bazuar në ri-skedulimet e reja.
Lidhur me ndeshjet e klubeve:
• Përpjekje maksimale nga të gjitha garat vendore dhe europiane të klubeve që të mbyllin sezonin më 30 qershor 2020;
• Limitim i hapësirave përgjatë javëve në mënyrë që të mund të përdoren nga ligat kombëtare si dhe UEFA;
• Gjetja e një zgjidhjeje dhe adaptimi të mundshëm për kualifikueset e kompeticioneve të UEFA-s për klubet për sezonin 2020/21 pas përfundimit të ligave dhe sezonit Europian më 30 qershor të këtij viti. /abcnews.al