Ardhja e Gennaro Gattusos e ka “ringjallur” Elseid Hysajn. Mbrojtësi i kombëtares ka filluar të aktivizohet përsëri te Napoli, por rinovimi nuk po vjen. Kontrata me klubin italian përfundon në verën e vitit 2021 dhe largimi është i paevitueshëm.
Agjenti i tij ka folur troç dhe e konfirmon largimin e shkodranit në fund të sezonit. Mario Giuffredi flet për Radio Punto Nuovo rreth situatës së Hysajt dhe mesazhi për drejtuesit e Napolit është i qartë.
“Hysaj ka qenë më i miri në rolin e tij në Serie A për tre vite radhazi. Me ardhjen e Gattusos ka rifilluar të luajë dhe ka treguar nivel të lartë. Por, është e pamundur që të qëndrojë te Napoli. Njërzillëku ndaj Napolit nga ana ime nuk do të mungojë, por është e drejtë të ndahen rrugët tona”, deklaron agjenti i Hysajt. /abcnews.al