Mbi 23 mijë raste me grip janë regjistruar këtë javë në vendin tonë. Shqipëria është një ndër dy shtetet në Europë me intensitet të lartë të gripit sipas OBSH, ndërkohë mjekët thonë se nuk kanë munguar rastet e komplikuara.
Shqipëria dhe Luksemburgu janë dy shtetet që Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit me intensitet shumë të lartë të gripit në Europë. Rreth 23 mijë e 500 raste ka regjistruar Instituti i Shëndetit Publik me infeksione në rrugët e sipërme të frymëmarrjes këtë javë, ndërkohë që mjekët thonë se shumë pacientë kanë shfaqur komplikacione.
Kjo pasi ndryshe nga viti i shkuar në vend po qarkullojnë katër viruse, dy të tipit A, H1N1 dhe AH3N3 dhe dy të tipit B. Ndërkohë vaksina thonë mjekët nuk ka shfaqur efektivitetin e pritshëm.
Spitalet universitare në Europë kanë nisur një analizë të detajuar për këtë ndërkohë që mjekët në vendin tonë parashikojnë rënie të numrit të sëmurëve vetëm në fund të muajit, ndaj apelojnë që situata të mos neglizhohet.
Ndryshe nga sa ishte parashikuar fillimi i epidemisë së gripit përfshiu vendin rreth dy javë më vonë arsye kjo që mjekët mendojnë se ai do të jetë i pranishëm deri gjysmën e muajit mars./abcnews.al