Kryeprokurori Olsjan Cela ka urdhëruar administratën e Prokurorisë që të marrin masat përkatëse sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për Covid-19.
Çela thekson se duhet të kufizohen veprimet procedurale që zhvillohen në ambientet e spitaleve, ambulancave apo laboratorëve mjekësore, veprimtaritë administrative të zyrave të sekretarisë në çdo prokurori në kontaktet me qytetarët, duhet të kufizohen oraret e takimit, kufizimi e mbledhjeve, analizave, takimeve në ambientet e prokurorisë ose zyrave të policisë, ku ka pjesëmarrje të lartë të personave të përfshirë.
Udhëzimi i plotë:
MBI MASAT administrative për mbarëvajtjen e punës në PROKURORITË me JURIDIKSION TË PËRGJITHSHËM në funksion të parandalimit të përhapjes sË infeksionit nga covid-19
Në mbështetje të neneve 148/b shkronja “b” “c”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 38 pika 2 shkronja “c”, të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, vendimit datë 09.03.2020 të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionimin e Përhapur nga COVID-19 dhe vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr.127, datë 10.03.2020, “Për pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë”;
U D H Ë Z O J:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky udhëzim i përgjithshëm ka për qëllim për të siguruar mbrojtjen nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019 të shëndetit të punonjësve në administratën e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe të shëndetit të shtetasve të interesuar për shërbime në prokurori, si dhe mbarëvajtjen e punës në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
Neni 2
Objekti
Objekti i këtij udhëzimi të përgjithshëm është përcaktimi i masave administrative në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019.
KREU II
MASAT ADMINISTRATIVE
Neni 3
- Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, në kuadrin e situatës së krijuar nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019 dhe masave të nevojshme për mbarëvajtjen dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave që ushtrojnë funksionet, të vlerësojnë dhe vendosin marrjen e masave për:
- i) Kufizimin e kryerjes së veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me marrjen e deklarimeve nga personat që kanë dijeni mbi faktet, personat nën hetim apo të pandehurit, përveç rasteve kur nga vonesa mund të dëmtohen hetimet, ose një gjë e tillë nuk mund të shtyhet për shkak të afateve procedurale.
- ii) Kufizimin e veprimeve procedurale që zhvillohen në ambientet e spitaleve, ambulancave apo laboratorëve mjekësore dhe kur nuk është e mundur, duke u pajisur në çdo rast me masat e pajisjet për mbrojtjen fizike të domosdoshme.
iii) Kufizimin e veprimtarisë administrative të zyrave të sekretarisë në çdo prokurori në kontaktet me qytetarët, për t’i kryer me anë të komunikimeve nëpërmjet shërbimit postar ose mënyra të tjera që sigurojnë kontakte të pakta fizike.
- iv) Kufizimin e orareve të takimit me qytetarët ose subjektet me status të posaçëm nga koordinatorët përkatës, prokurori për marrëdhënit me publikun, drejtuesi i prokurorisë, drejtuesit e seksioneve apo prokurorët. Në vendin e caktuar ku është bërë shpallja e orarit të pritjes së qytetarëve të shpallet kufizimi i kësaj veprimtarie, deri në një moment të dytë që do të vlerësohet nga ana e drejtuesit të prokurorisë.
- v) Kufizimin e mbledhjeve, analizave, takimeve në ambientet e prokurorisë ose zyrave të policisë, ku ka pjesëmarrje të lartë të personave të përfshirë.
- vi) Në çdo rast kur nga rrethanat rezulton prania e shtuar e personave në sallat e gjyqit të çmohet nga prokurori për t’i kërkuar gjykatës zhvillimin e seancave gjyqësore me dyer të mbyllura referuar në nenin 340 të K.Pr.Penale.
KREU III
ZBATIMI, HYRJA NË FUQI DHE PUBLIKIMI
Neni 4
Zbatimi dhe mbikëqyrja
- Ky udhëzim i përgjithshëm është i detyrueshëm për zbatim nga drejtuesit e prokurorive, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, ofierët e policisë gjyqësore të shërbimeve të të gjithë llojeve dhe niveleve dhe nëpunësit civil e punonjësit e administratës të gjithë niveleve, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm
- Me mbikëqyrjen e zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm.
- Drejtuesit e prokurorive mund të nxjerrin udhëzime të përgjithshme për lehtësimin e zbatimit të këtij udhëzimi të përgjithshëm.
Neni 5
Hyrja në fuqi, afati i zbatimit dhe publikimi
- Ky udhëzim i përgjithshëm hyn në fuqi menjëherë dhe detyrimet e përcaktuara në të zbatohen për një periudhë dy-javore nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi.
2 Udhëzimi i përgjithshëm të publikohet në faqen e internetit të Prokurorisë së Përgjithshme.
PROKUROR I PËRGJITHSHËM
OLSIAN ÇELA