Nga Ferdinand Xhaferaj
Lehtësisht mund të mendohet se qytetarët e çdo vendi ndjehen mirë kur shohin t’i valëvitet flamuri në një tubim paqësor të një vendi tjetër.
Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë gjykoi se nuk duhet të rrinte indiferente lidhur me përdorimin e flamurit amerikan në manifestimin e thirrur nga presidenti. Ajo do të shprehej se: “U befasova kur pashë flamurin amerikan… Ne nuk kemi asnjë lidhje me manifestimin e sotëm”. Nuk vonoi dhe do të shikonim një letër të hapur të z. Fran Shkreli, i cili për më shumë se tri dekada punoi për radion “Zëri i Amerikës”.
Ai qartësisht do të shkruante se ambasadorja u nxitua. Janë të lexueshme ndjesitë dhe argumentet e përdorura nga zoti Shkreli për të etiketuar si ngutje qëndrimin e ambasadores.
Gjykuar nga përtej Atlantikut dhe nisur nga përqasja e z. Shkreli si një shqiptaro-amerikan që, sikurse na bën me dije edhe vetë, priti plot 50 vite për të parë valëvitjen në Shqipëri të flamurit amerikan, merr kuptim qëndrimi i tij.
Por, nisur nga punët që ka për të bërë ambasadorja dhe duke dëgjuar presidentin në manifestim që deklaronte se mbas datës 15 mars “unë, Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por atje në mes të parlamentit, në mes të krimit dhe do t’i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar…”, shpjegohet se vrapimi për të reaguar i ambasadores nuk është krejt pa lidhje.
Pra, kjo ngutje formësohet nga domosdoshmëria e ruajtjes së stabilitetit në të ardhmen e afërt.
Gjithsesi, investimi i justifikuar për të garantuar stabilitetin afatshkurtër nuk duhet të lërë në hije angazhimet për të garantuar stabilitetin afatgjatë.
Themi kështu se më 30 korrik të 2019-ës nga radio “Zëri i Amerikës” mësuam se Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që ta ngrijë në Durrës kryetarin e Bashkisë.
Pra, Vangjush Dakos dhe familjes së tij iu ndalua lëvizja për në Shtetet e Bashkuara. Në njoftim theksohej se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni.
Radio “Zëri i Amerikës” do të sqaronte si raste madhore korrupsioni lidhjet e Dakos me grupet e Shijakut dhe përfshirja në blerjen e votave. Por, edhe ky është një ‘por’ i madh, përfshirja në blerjen e votave minon konkurrimit demokratik.
Dhe shkatërrimi i konkurrimit demokratik për studiues të shkencave politike paraqitet si armiku kryesor i stabilitetit. Këtu fillon dhe mbaron e gjithë problematika që ka ekspozuar dhe po ekspozon Shqipëria lidhur me interesat për të cilat qëndrojnë partitë kryesore politike.
Opozita shqiptare është edhe jashtë Kuvendit dhe nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale për arsyen se kishte ndjerë, prekur dhe evidentuar që zgjedhjet në Shqipëri, me Ramën kryeministër kishin vrarë ekzaktësisht konkurrimin demokratik.
Pra, ato nuk shërbenin më si mekanizëm për të zgjidhur demokratikisht konfliktin për pushtet të partive politike. Studiuesit (Linz, Przeworski…) qartësisht thonë se opozita mund të priret të nxisë dhunën kur konstaton pamundësinë që ofron e ardhmja për rotacion demokratik të pushtetit.
Rama me Dakon dhe Dakot e tij tashmë është përgjuar e provuar se në Dibër, Durrës, Kavajë, Krujë e kudo në gjeografinë e Shqipërisë ka ndërtuar një infrastrukturë, që hedh në erë konkurrimin demokratik duke pamundësuar që qeveria të mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve.
Duket se jo më kot shprehja e Acton nga fundi i 1800-ës vazhdon të jetë realitet në Shqipëri: “Fuqia ka tendencën të korruptojë dhe fuqia absolute korrupton absolutisht”. Në nivelet e pjesës së dytë të shprehjes ka arritur tanimë Rama, i cili deklaroi në “Opinion” se: “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të mbetet miku im.
Nuk më mëson Departamenti i Shtetit kë do të kem shok unë…”. Për më keq, ndërsa Rama shfaqte dashurinë nga studio e “Opinion”, Dako rehatohej në kongresin e PS-së në krah të ministrit të Brendshëm.
Çështja është se nuk po flasim për miqësitë apo shoqëritë e Ramës, bie fjala, me ish-pedagogë. Ramën me Dakon nuk i ka bërë bashkë piktura, por karikatura e pushtetit që kanë prodhuar. Ata i ka ngjizur miqësia për të prodhuar pushtetin jo nga liria e votës, por nga paraja e drogës.
Shpesh gjatë takimeve në zona të ndryshme të Durrësit me pyesin për tolerancën përtej limiteve që përfiton Rama nga diplomatët e huaj, ndonëse çdo shqiptar e ndjen çdo ditë e më shumë realitetin e hidhur të pushtetit të tij.
Qeverisja “Rama” ka vështirësuar jetën e të gjithëve dhe vazhdon të nxisë largimin masiv nga Shqipëria. Toleranca përtej limiteve që po përfiton Rama gjenerohet nga qëndrimet pozitive që ai ka mbajtur lidhur me muxhahedinët në Manxë, apo edhe për qëndrimin që mbajti në Moskë me ministrin e Jashtëm Lavrov.
Edhe unë ndjehem mirë për kryeministrin e vendit tim kur replikon në Moskë për përzgjedhjet strategjike të Shqipërisë dhe ndjehem akoma më mirë kur e shoh qëndrimin e tij të postuar në “Facebook”-un e ambasadores së SHBA-ve.
Por, Rama i Moskës nuk duhet të eklipsojë Ramën e Durrësit, Dibrës e Kavajës edhe për faktin se lidhur me qëndrimin për Uashingtonin dhe Moskën, aktorët politikë në Shqipëri janë të unifikuar.
Pra, si Basha edhe Rama mendojnë njësoj lidhur me qëndrimin e Shqipërisë për afërsinë me Uashingtonin apo largësinë me Moskën.
Tolerimi karshi Ramës, manifestuar në lirshmërinë e tij për të nënvlerësuar vendime të SHBA-ve duke përforcuar mbështetjen karshi Dakos e Dakove, nënvizon çështjen madhore të stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë.
Pra, ambasadorja kuptueshëm investohet që flamuri amerikan të mos përdoret për të nxitur protesta në ditët në vazhdim, por njësoj do të duhet të investohet, sepse nëpërkëmbja nga Rama e flamujve të kuq të Departamentit të Shtetit mund të nxisë protesta të dhunshme në muajt në vijim. /Botuar në GSH