Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro i ka nxitur gratë e vendit të tij ditën e sotme që të bëjnë, jo pak, por 6 fëmijë. Kërkesa, sipas tij, vinte për të mirën e vendit.
Gjatë daljes së tij në një event që promovonte planin kombëtar për kujdesin shëndetësor ndaj grave, Maduro i inkurajoi këto të fundit që të sjellin sa më shumë fëmijë në jetë.
Gjatë eventit ai iu drejtua një gruaje të pranishme:
“Zoti të bekoftë që ke sjellë në jetë 6 vajza dhe djem të vegjël. Çdo grua duhet të bëjë gjashtë fëmijë për të mirën e vendit.”
Gjithsesi kjo deklaratë e tij nuk mbeti pa kritika në Twitter ku njerëzit shkruanin se vendi po përballet me një emergjencë humanitare dhe se “Maduro dhe regjimi i tij kanë probleme psikologjike.”
Venezuela po kalon një krizë ekomonike si pasojë e së cilës vendi ka pasur shkurtime të sasisë së ushqimeve dhe ilaçeve.
Sipas agjencisë Unicef mes viteve 2013 dhe 2018, 13 për qind e fëmijëve në Venezuelë kanë vuajtur nga kequshqyerja. “Lufta” e hidhur për pushtet mes qeverisë dhe opozitës nuk e ka ndihmuar aspak situatën.
Kreu i opozitës Juan Guaidó konsiderohet të jetë lideri legjitim i Venezuelës në më shumë se 50 vende. Por gjithsesi, Maduro i cili është kreu i partisë së majtë të vendit e gëzon edhe mbështetjen e ushtrisë, vazhdon të mbetet në pushtet. /abcnews.al/