Teuta zhyt në krizë Partizanin, falë një goli të shënuar nga Sherif Kallaku. Durrsakët triumfuan 1-0 në kryeqytet dhe të kuqtë marrin një tjetër goditje pas humbjes 5-1 në derbi me Tiranën. Skuadra e Sormanit mund të kishte shënuar në fillim me Brown, por Frashëri u bë hero.
Korçari nga ana tjetër tregoi edhe nervat e tij, teksa u kap në ato momente me mbrojtësin Todorovski që e la të lirë sulmuesin e Partizanit. Gjithsesi Teuta shpëtoi në atë moment. Durrsakët nuk ishin të rrezikshëm, edhe pse tentuan në një moment me Lorenco Vilën.
Fatet e ndeshjes u vendosën në minutën e 67-të, kur Idelino Gomez shërbeu me kokë për Kallakun, i cili mposhti portierin Alban Hoxha dhe mori një goditje që e detyroi mesfushorin të dilte nga loja. Partizani u mundua të barazonte, por goli i fantazistit mbeti në fuqi deri në fund dhe Teuta iu gëzua tre pikëve.
NDESHJA NË KORÇË – Skënderbeu vijon ecurinë pozitive,teksa ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Korçarët mposhtën me rezultatin e pastër 2-0 Luftëtarin dhe janë vetëm tre pikë larg vendit të tretë, që mbahet nga Laçi.
Skënderbeu ia doli të shënonte që në fillim, me Ditën që krosoi në zonë dhe Mensah me kokë nuk fali. Ai gol i dha qetësinë e duhur ekipit të drejtuar nga Iliri Daja, që në pjesën e dytë iu gëzua edhe një rrjete të tundur nga Bajram Jashanica.
Qendërmbrojtësi realizon pas dy vitesh, në rikthimin e tij në një ndeshje në stadiumin “Skënderbeu”. Kapiteni vulosi fatet e ndeshjes kundër Luftëtarit, që ka marrë rrugën drejt Kategorisë së Parë. /abcnews.al
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25
E mërkurë, më 4 mars, ora 17:00
Skënderbeu-Luftëtari 2-0
Shënues: Mensah 18’, Jashanica 59’
Partizani-Teuta 0-1
Shënues: Kallaku 67’