EMRAT/ Të dënuar për vrasje, OFL i kërkon llogari për pasurinë dy “të fortëve” në Tiranë dhe Lezhë

schedule13:26 - 3 Mars, 2020

schedule 13:26 - 3 Mars, 2020

OFL i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar për krime të rënda në Tiranë dhe Lezhë.

OFL thekson se këta persona duhet të përgjigjet brenda 48 orëve për pasurinë e tyre, në të kundërt do t’i kërkojë SPAK-ut nisjen e procedurave për sekuestrimin e pasurisë.

Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për Eljon Haton dhe Ilir Selmanin.

Eljon Hato është një personazh i njohur në Tiranë, emri i të cilit u rikthye në medias natën e 4 tetorit 2018, ku mbeti i plagosur gjatë një përplasjeje me armë, ku i pranishëm ishte edhe Ervis Martinaj. Hato njihet si shoku i këtij të fundit. Në atë ngjarje u vra një person dhe u plagosen dy të tjerë, njëri prej të cilëve ishte Hato.

Ky i fundit është dënuar për një vrasje në vitin 2014, të cilën e ka përmendur OFL në njoftimin e sotëm.

Ndërkohë, Ilir Selmani akuzohet se ishte pjestar i skuadrës që ekzekutoi vitin e shkuar Santjago Malkon me breshëri të gjata automatiku në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Ai njihet si person i afërt me klanin “Duka”, i akuzuar për vrasjen e Santjago Malkos. Ky i fundit njihej si mik i Ervis Martinajt.

Në këtë mënyrë, duket se OFL ka goditur dy grupe kundërshtare në Tiranë.

Njoftimi i plotë

Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.

Vijon Operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:

E. H., banues në Lezhë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”;

I. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!