Gazetari Ylli Rakipi ka qenë i ftuar në studion e Abc News me gazetaren Mirela Milori, për të diskutuar aktualitetin politik në vend dhe tubimin e sotëm të organizuar nga Presidenti, Ilir Meta.
Rakipi tha se tubimi i Presidentit ishte i mbushur me simbolika, të cilat ai i ka llogaritur si një politikan rrace, për t’i dhënë gjithëkujt një mesazh të qartë, për mbrojtjen e Kushtetutës.
“Në fakt është metaforike, një simbol interesant, që buron nga 2500 vjet më parë në demokracinë athinase, ku Perikliu i zgjidhte të gjitha problemet tek sheshi. Është e domosdoshme, sepse ka rënë sistemi, më saktë, është ndërtuar sistemi sipas dëshirave të njërit apo tjetrit. Shqipëria është një sistem vlerash, të cilën nuk e kupton askush, as të huajt, por e lënë këtë vend të vijojë në këtë mënyrë të çuditshme.
Presidenti i Republikës doli në shesh, sepse askush nuk e lejon të bëjë aq pak detyra sa ai ka. Nuk duhet të çuditemi, përse një njeri si Ilir Meta bën këto veprime. Meta është një politikan rrace dhe di t’i bëjë këto shenjat, i ka studiuar, siç studion Rama strategjitë e tij me poturet”, deklaroi Rakipi.
Rakipi gjithashtu tha se Presidenti Ilir Meta, duhet të largohet nga Presidenca dhe të vijojë luftën, por jo duke e lënë atë në mes si Lulzim Basha, duke iu referuar protestave të opozitës, të cilat u mbyllën papritur me ardhjen e verës.
“Nëse Ilir Meta do ta vijojë këtë punë me dekrete që nuk e kalojnë Lanën për tek Gramoz Ruçi, tek populli nuk firmoset një letër. Ilir Meta duhet të dalë jashtë institucionit që është dhe të vazhdojë luftën, por jo ta mbyllë në verë si zoti Lulzim Basha”, u shpreh Rakipi.
Basha nuk ishte sot në tubim, ishte thjesht një portret i Bashës. Nuk ka mundësi të ketë veprime të tilla teatrale. Meta duhet ta ftonte edhe opozitën atje, krahas intelektualëve. Meta nuk ka kohë të fshihet më”, tha Rakipi.