Gjykata Administrative e Durrësit pas 11 seancash mori vendimin për projektin “Veliera”. Ajo ndalon punimet në zonën A, por jo në të gjithë sipërfaqen. Ky vendim nuk i kënaqi palët kundërshtare të Bashkisë së Durrësit.
Në zonën arkeologjike A për zbatimin e projektit “Veliera” nuk do të kryhen punime.
Por investimi nuk shpallet i paligjshëm.
Kështu që lejohet rinisja e punimeve referuar ndryshimit të projektit të paraqitur nga Bashkia e Durrësit.
Është ky vendimi që dha Gjykata Administrative Durrës për projektin më të përfolur.
Pas më shumë se 11 seancash gjyqësore, trupi gjykues vendosi pranimin e pjeshëm të padisë së shoqërisë civile, duke ndaluar punimet vetëm në zonën arkeologjike A, dhe jo në të gjithë sipërfaqën ku do të zbatohet projekti.
Ky vendim është kundërshtuar nga shoqëria civile.
Avokatja e shoqërisë civile Mirela Jorgo, tha se vendimi i dhënë nga gjykata Administrative lë vend për interpretim, pasi nuk e ka shpallur investimin e paligjshëm.
Vendimin, Sazan Gurin e shikon si fitoren e betejës, por jo të kauzës, duke folur për apelim.
Punimet në sheshin Veliera u bllokuan Marsin e vitit të kaluar, për shkak të kundërshtisë që hasën gjatë zbatimit nga shoqëria civile, me pretendimin se po cënohej trashëgimia historike./abcnews.al