Administrata publike është e paaftë për të vlerësuar teknikisht një leje mjedisore. Deklarata vjen nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili për këtë çështje, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me fakultetin e inxhinierisë. Ndërkohë Klosi deklaroi se lejet mbi HEC-e, po verifikohen.
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit po analizon të gjitha lejet mjedisore që janë dhënë për ndërtimin e HEC-eve në vend.
Lajmin e dha ministri Blendi Klosi, i cili ishte në Departamentin e pyjeve në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me stafin pedagogjik dhe studentët e këtij fakulteti.
Blendi Klosi: “Detyra jonë është që së bashku me stafin shumë të përgatitur, që një pjesë janë dhe pedagogë të këtij fakulteti, të bëjmë një analizë shumë të hollësishme. Cilat janë shkaqet që një leje mjedisore nuk lexohet kurrë nga askush e jo pastaj të hyjmë në debate është koordinatë, apo është kuotë. Të gjejmë se cilat janë shkaqet që një leje mjedisore jepet pa pasur asnjë vlerësim real të zonës ku jepet, përsa i përket kapaciteteve të saj turistike. Stafet tona tashmë kanë filluar punë për të gjitha lejet mjedisore që janë dhënë për HEC-et”.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit u ndal tek debati i ditëve të fundit për ndërtimin e HEC-eve mbi kanionet e Osumit, ndërsa drejtoi gishtin nga administrata publike.
Blendi Klosi: “Është një debat i cili vjen nga pamundësia e administratës publike, por dhe nga pamundësia e të gjithë sistemit për të vlerësuar teknikisht çdo leje mjedisore”.
Ministri Klosi deklaroi se ka ardhur koha që realiteti i lejeve mjedisore të ndryshojë. Sipas Ministrit të Mjedisit, shteti duhet të marrë më tepër rol kontrollues, ndërsa inxhinierët mjedisorë duhet të oranizohen në një urdhër profesional që të vendosë për lejet mjedisore.
Blendi Klosi: “Të jenë leje me karakteristika specifike, të cilat vlerësohen, pra koordinatat, ndikimi në mjedis, ndikimi në ajër, ndikimi në ujë, të jenë me parametra që vlerësohen online, të mos ketë nevojë që administrata të marrë e të jetë para një situate të palexueshme, dhe e dyta shumë e rëndësishme, që mendoj se ka mbështetjen e të gjithë inxhinierëve të dalë nga ky fakultet ka ardhur koha që edhe në Shqipëri, Urdhëri i punonjësit të Mjedisit, urdhëri i profesionistëve, të jetë ai që vendos se kush mund ta bëjë lejen mjedisore. Unë mendoj se nuk mund të jetë më kompetencë e administratës publike, nuk mund të jetë më kompetencë e Ministrit të vlerësojë se kush mund ta realizojë një leje mjedisore”.
Ndërkohë Fakulteti i Inxhinierisë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me ministrinë do të trajnojë dhe testojë të gjithë ata që mendojnë se kanë aftësi të përgatisin leje mjedisore./abcnews.al