Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duhet të hiqet ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Mustafa, partia e së cilit është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, tha se deputetët e LDK-së do ta mbështesin qeverinë për heqjen e taksës, pasi sipas tij, kjo është në interes të Kosovës.
Nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur planin e tij për heqjen e taksës. Ai ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ai ka thënë se nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, nga 1 prilli, taksa do të hiqet prej një periudhe prej 90 ditësh.
Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendoset taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.
Ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka thënë se Kurti bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht./abcnews.al