Shpëtim Duro e ka mbyllur me Kukësin. Tre ndeshjet e fundit, me Bylisin, Tiranën dhe sot me Teutën, sollën pakënaqësi te drejtuesit e klubit verilindor. Pas barazimit me durrsakët, që ndëshkuan skuadrën verilindore në minutat shtesë, Kukësi njoftoi shkarkimin e Duros.
Kurioziteti më i madh tanimë është për pasuesin e tij dhe lëvizjet e para kanë nisur. Burime të ABC News bëjnë me dije se Skënder Gega është alternativa kryesore për të marrë drejtimin e Kukësit.
Jo vetëm kaq, por drejtori sportiv Nderim Nexhipi është parë sonte me Gegen dhe kjo i shton edhe më shumë shanset e ish-trajnerit të Partizanit për të marrë drejtimin e Kukësit. Në shoqërinë e tyre ka qenë edhe Rraman Hallaçi, i cili besohet të jetë krahu i djathtë i tij.
Gega edhe në të shkuarën ka biseduar me Kukësin, por nuk pati një marrëveshje mes palëve. Tanimë mund të jetë momenti i duhur për nisur një bashkëpunim. Një vit më parë tropojani drejtoi me sukses Partizanin, duke kthyer në kampin e kuq titullin kampion pas 26 vitesh. / abcnews.al