Shumë pacientë në Itali u diagnostikuan me koronavirus vetëm pasi bënë analizën, pa shfaqur simptoma. Kështu u shpreh mjeku shqiptar Elson Gjoni, kirurg Onkologjik në spitalin Busto Arsizio në Milano.
Gjate nje lidhje “skype” me emisionin “Opinion” ai tha se në fundjavë u krijua një panik i panevojshëm në Itali, por sot situata është më e qetë.
Mjeku shprehet se protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë në Itali ndërruan nga e shtuna. “Kontrollet janë shtuar në masë për të gjithë ata që janë në epiqendren e vatrës, që do të thotë 50 km nga Milano”.
Më tej ai sqaroi se “rastet më të shumta janë në Lombardi dhe Veneto dhe aktualisht 50 mijë banorë janë të izoluar, zonat ruhen me ushtri dhe polici. Që do të thotë nëse hyn në Lombardi nuk del dot për 14 ditë. Sakaq, banorët e kësaj zone nuk lejohen të lëvizin në territore të tjera të Italisë”.
Sa i përket mjekimit, Gjoni u shpreh se “nuk ka një mjekim specifik për koronavirusin, por pacientet mjekohen si çdo person tjeter me probleme të frymëmarrjes. Mjeku shtoi tha se “janë 80 për qind pa simptoma, ndërsa 20 për qind e pacientëve kanë simptoma”. Ai u shpreh se njerëzit nuk lejohen të shkojnë direkt në urgjencë, por duhet të telefojnë në numrin jeshil. “Nëse nuk kanë simptoma qendrojnë në shtëpi dhe ndjekin këshillat e mjekëve. Nëse bëjnë komplikacione shtrohen në karantinën e spitalit”, u shpreh ai. /abcnews.al