Mirdita nuk ia doli të ruante avantazhin e siguruar falë golit të Pepkolajt në fundin e pjesës së parë dhe u barazua në pjesën e dytë nga Vllaznia B, që shënoi me anë të Daijës. Pike e ngjit Mirditën në vend të katërt të grupit A të Kategorisë së Dytë me 26 pikë, dhjetë më pak se kryesuesit e Vorës.
Në ndeshjen tjetër, Spartaku fitoi 1-4 duelin me Internacional Tirana dhe parakaloi kundërshtarët në renditje, teksa Luzi siguron tre pikët pa luajtur, pasi këtë javë shorti e kishte vënë kundër Kamzës së përjashtuar.
Në këtë grup kryeson Vora me 36 pikë (ka zhvilluar një ndeshje më pak se skuadrat e tjera) dhe ndiqet nga Luzi me dy pikë më pak. Vendi i tretë mbahet nga Sopoti që numëron 29 pikë pas 14 javëve të para.
Gara në grupi B të kësaj Kategorie është tepër e fortë. Tomori (ka për të luajtur një ndeshje më shumë) triumfoi 1-3 në fushën e Skraparit dhe kryeson me 34 pikë, po aq sa kanë edhe Maliqi me Albpetrolin.
Juglindorët shkatërruan 5-0 në shtëpi Tepelenën, ndërsa skuadra nga Patosi fitoi 1-2 me përmbysje në fushën e Gramozit të Ersekës, falë golit të Muhametajt dy minuta përpara fundit të ndeshjes.
Në ndeshjet e tjera ra në sy fitorja e Butrintit me “poker” kundër Selenicës, ndërsa takimet Permeti-Delvina dhe Këlcyra-Naftëtari u mbyllën pa fitues. /abcnews.al