Eklent Kaçi ka humbur në finalen maratonë me Jayson Shaw dhe ka dalë i dyti në Euroturin e Italisë, që u zhvillua në Treviso. Bilardisti shqiptar zhvilloi një turne mjaft të mirë, duke shkuar në finale pa asnjë humbje, ndërkohë që edhe me skocezin mund të triumfonte.
Në dy raste ai kaloi në epërsi, edhe pse Shaw kishte në favor hapjen e gurëve. Në fund bilardisti shqiptar u mposht 9-8 dhe u rendit kështu i dyti, duke marrë pikë të rëndësishme për renditjen europiane dhe për në Mosconi Cup.
RRUGËTIMI I KAÇIT – Stanimir Ruslanov ishte kundërshtari i parë i Kaçit në Treviso dhe bilardisti kurbinas ia doli të fitonte me rezultatin 9-6. Në raundin e dytë ai e pati një shëtitje me portugezin Manuel Periera, të cilin Eklenti e mposhti 9-1.
Greku Nikos Ekonomopoulos u mundua ta vështirësonte rrugën e Kaçit, por pa sukses, pasi u mund 9-6. Me të njëjta shifra e pësuan edhe Sergey Lutsker (Rusi) dhe Karol Skowerski (Poloni). Fitoren më të thellë Kaçi e regjistroi ndaj austriakut Maximillian Lechner.
Pritej një ndeshje e balancuar, por bilardisti laçian fitoi 9-0 dhe Lechner do e mbajë mend gjatë këtë disfatë të pësuar në fazën çerekfinale. Në katërshe polaku Mateusz Sniegocki u mund si të tjerët, 9-6, ndërsa Kaçi u mposht në finale nga Jason Shaw, i cili është një emër i njohur në botën e bilardos. /abcnews.al