Presidenti Meta ka reaguar sërish në rrjetin social “Facebook”, duke bërë thirrje edhe njëherë se më 2 mars qytetarët duhet të bëhen bashkë në mbrojtje të Kushtetutës. Referuar shkrimit të publikuar në “Monitor”, Meta thekson se nuk është aspak i habitur që Shqipëria ka bërë hapa pas.
Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Lajmi u dha nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, shkruan monitor.
“Të dashur qytetarë!
Asnjë habi për hapat pas që Shqipëria ka bërë edhe në këtë drejtim.
Ndaj në 2 mars të gjithë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese, për të rivendosur sistemin e llogaridhënies publike në çdo nivel vendor dhe qendror, në të gjithë vendin.
Shqipëria nuk do të jetë më lavatriçe e pastrimit të parave të organizatës ndërkombëtare.
Bashkë për Kushtetutën!
Bashkë për Shqipërinë”, shkruan Presidenti Meta./abcnews.al

