FRPD protestë para Kryeministrisë në 29-vjetorin e rrëzimit të Enver Hoxhës: Qeveria ka tradhtuar misionin e saj

schedule12:53 - 20 Shkurt, 2020

schedule 12:53 - 20 Shkurt, 2020

Në 29-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, FRPD ka nisur protestën para kryeministrisë. Ndërsa hodhën akuza ndaj kryeministrit Rama të rinjtë e FRPD u shprehën se vendi nuk ka pasur asnjë arritje nga qeverisja e kryeministrit Rama.

“Shqipëria nuk është vetëm, por jemi vendi që 7 vite nuk ka rritje pagash, u kthyem në turpin e Europës. Jemi vendi ku diktatori Edi Rama i ka braktisur qytetarët. Ne po na fusin në Mini Shengenin Ballkanik, kjo është tradhëtia më e madhe”.

Ndërsa dëgjohen me thirrjet e tyre: “Nga krimi nga droga na iku Europa”, ata kërkojnë rikthimin e dinjitetit, të shpresës me dëshirën për të mos u larguar nga Shqipëria.

Ndërkohë të rinjtë u shprehën se nuk përfaqësohen nga qeveria dhe se nuk kanë asnjë mundësi për të ardhmen. Të rinjtë theksuan se hasen me probleme burokratike.  Gjatë fjalës së tij një prej të rinjve u ndal edhe te problematikat që hasin në sistemin shëndetësor, ndërsa theksoi se taksat sa vijnë e rriten. “Boll më kanë ikur njerëz nga Shqipëria, është koha të largohet Edi Rama”, shprehen ata.

Ndërsa u ndalën te ligji i Arsimit të Lartë ata theksuan se ligji është në kundërshtim me kërkesat e studentëve: “Ligji nuk ka asnjë sukses, nuk prodhohet asnjë produkt shkencor”, theksoi gjatë fjalës së tij një prej të rinjve.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi gjatë fjalës së tij tha se kishin marrë edhe një njoftim nga Policia për prishje të qetësisë, ndërsa u shpreh se të rinjtë po i largohen këtij vendi. Nuk e shohin Shqipërinë si mundësi për të jetuar. “Nuk  e meriton Shqipëria e 2020 të jetë në këtë gjendje. Qeveria ka tradhtuar misionin e saj, ky kryeministër ka tradhëtuar të rinjtë. Shqipëria çdo ditë po grabitet. Të rinjtë kanë zgjedhur si formë proteste largimin nga vendi. Janë më mijëra të rinj që realisht duan ndryshimin. Ndryshimi do të vijë dhe atë do ta sjellë partia Demokratike. Hapi i parë do të jetë anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Në Shqipëri do të vlojnë idetë, do të ketë shpresë. Të rinjtë po i largohen vendin dhe kjo është tragjedi Kombëtare.

Gazetari Juxhin Mustafaraj tha për “ABC News” se tubimi ka zgjatur rreth 40 minuta. Partia Demokratike përmes të rinjve të saj është rikthyer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të rinjtë e Forumit Rinor të PD kanë kujtur se kryeministri Rama do të ketë të njëjtin fat dhe se do ti duhet të largohet nëse nuk do të përballet me të rinjtë. Gjithashtu u përmend përplasja që kanë hasur për të marrë leje për zhvillimin e protestës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!