Të konsideruar si personat që në hije qeverisin botën, masonët në Britaninë e Madhe kanë kërkuar që t’u jepet fund spekulimeve mbi influencën e tyre në politikë dhe ekonomi.
Shoqata e masonëve në Britani ka ndërmarrë së fundmi një fushatë reklamimi në media të ndryshme, përmes të cilave kërkon t’i jepet fund diskriminimit që po u bëhet anëtarëve të saj. Lozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë ka deklaruar se pret në radhët e saj individë nga të gjitha fushat e jetës, por ka nënvizuar se anëtarët e saj po stigmatizohen në mënyrë të pamerituar.
Lajme të ndryshme të publikuara kohët e fundit në media kanë ngritur dyshime për influencën e masonëve në parlament dhe politikëbërje. Në një reklamë të publikuar në “The Times”, “Daily Telegraph” dhe “The Guardian”, struktura qeverisëse e masonëve ka pretenduar për një keqinterpretim të veprimeve të anëtarëve.
Me titullin “Mjaft është mjaft”, shefi ekzekutiv, doktor David Staples ka deklaruar se organizata, vitin e kaluar mblodhi mbi 33 milionë paund për bamirësi. Ai ka shtuar se, njerëz të çdo race, besimi, moshe, klase apo të çfarëdolloj bindjeje politike janë të mirëpritur të aderojnë në organizatën 300-vjeçare.
Lozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë është një ekskluzivitet vetëm për burrat, por struktura të veçanta të saj kanë në radhët e tyre edhe gra. Në të gjithë botën llogariten rreth 6 milionë masonë, mbi 200 mijë prej të cilëve ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, ku numërohen mbi 7 mijë lozha. Javën e kaluar “The Guardian” raportoi se dy prej tyre po ndikojnë në punën e Parlamentit, duke bllokuar reformat. Gjithashtu, grupimet janë akuzuar se po nxisin diskriminimin dhe urrejtjen racore./abcnews.al