Mirush Kabashi nuk është në një skenë teatri, por në Pallatin e Kongreseve. Aktori i madh nuk po flet për spektatorët, por për qytetarë të Tiranës që kanë ardhur të dëgjojnë Nismën Thurje, e cila, i fton të reflektojnë dhe të mos i besojnë më politikës së vjetër.
“Ka ardhur koha e duhur, për të bërë gjënë e duhur. Ne kemi edhe probleme kombëtare, po na ikin njerëzit. Po mbyllen klasat, fshatrat po boshatisen”, tha Kristo.
“E dini se sa kemi shpenzuar ne në 30 vjet në shëndetësi, vetëm investime? Janë 2 miliardë euro. Para dy vjetësh në tiranë u ndërtua një spital i ri, Spitali Amerikan 3, kushtoi 35 milionë euro, me 2 miliardë euro do të kishim ndërtuar 60 spitale të rinj. E dini se sa korpuse spitalore janë ndërtuar në Shqipëri, që nga viti 1990 e këtej? Zero, asnjë”, tha Soko.
Grupit të profesionistëve të Thurjes, ju është bashkuar dhe Mjeku Artan Koni. Ai bashkë me Nismën Thurje, denoncuan koncesionin e sterilizimit, dhe e dërguan atë në SPAK.
“Ishte një nismë jo si mjek, por si një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, që interesohet ku shkojnë lekët e shtetit tonë, dhe këtë frymë besoj ja përcolla edhe shumë njerëzve të tjerë, për këtë arsye ndihem mirë. I mbetet SPAK-ut të faktojë se ku kanë shkuar 1.4 milionë euro”, tha Artan Koni.
Thurja ka zhvilluar takime thuajse në të gjithë vendin, ka mbledhur 50 mijë firma për të ndryshuar sistemin zgjedhor, dhe projektligji është zyrtarisht në Kuvend.
“Për momentin Jo, e para kemi shumë parti politike. Njerëzit nuk kanë nevojë për parti politike, por që të bashkohen rreth ideve të mira”, tha Koni.
Propozimet e Thurjes i dëgjon me vëmendje dhe një pjesë e deputetëve të rinj në Kuvend, të cilët janë pjesë e shumicës së takimeve të aktivistëve./abcnews.al