Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.
Kurti ka thënë se nuk është takuar me Vuçiç pasi diskutimi është zhvilluar në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.
“Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës është shprehur se në këtë takim presidenti serb ka qenë “i ashpër”. Ai ka theksuar se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).
Gjithashtu Albin Kurti ka pranuar se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.
“Vuçiç ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, ka thënë Kurti. Ndërsa në lidhje me taksën po i bëhet apo jo presion për heqjen e saj, Kurti ka thënë se “do ta heqin taksën sapo të zbatojmë reciprocitetin me Serbinë, si një parim të mirë për marrëdhënie konstruktive fqinjësore”./abcnews.al