Pritja e Delegacionit të Venecias nga Presidenti Ilir Meta ishte i pazakonshëm.
Çdo takim tjetër i delegacionit të Venecias më zyrtarët në Tiranë ka qenë me dyer të mbyllura, por këtë radhë Presidenti mesa duket vendosi të komunikonte jo vetëm me ekspertët që ishin në zyrën e tij.
“Ne kemi këtu disa ekspertë ndërkombëtarë që po merren me ndjekjen e parave”, tha Meta.
Në këtë mënyrë e ka interpretuar Ilir Meta rolin e ndërkombëtarëve në Tiranë, në të njëjtën linjë siç Kushtetuta po interpretohet nga palët politike. Ai ishte i qartë dhe i drejtëpërdrejtë, ndërsa iu drejtua ekspertëve të Komisonit të Venecias të cilëve u kërkoi të jenë të paanshëm.
“Unë e dua shumë Komisionin e Venecias dhe Venecian! Vjet mora edhe ‘Luanin e Venecias’! Unë kurrë nuk do të thirrja Venecian për një çështje kaq të thjeshtë! Për te lexuar thelbin e kësaj çështje, anëtari i parë emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë! Edhe dy fëmijë të klasës së parë e lexojnë qartë. Pres përgjigje të panashme”, dekalroi Meta.
Ky është takimi i radhës që Presidenti zhvillon me ekspertë të Komisionit të Venecias pasi mazhoranca nisi procesin për ta shkarkuar atë fillimisht për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve të qershorit të 2019 dhe tani për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë radhë delegacioni ndodhet në Tiranë për të mbledhur faktet dhe qëndrimet e dy palëve për emërimet që janë bërë në Gjykatën Kushtetuese.
Më parë delegacioni u takua me kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi dhe anëtarët e komisionit i ngritur për ta shkarkuar Presidentin.
Gjatë këtyre takimeve, ekspetët kanë pyetur Kryetarin e Kuvendit lidhur me ngritjen dhe bërjen funksionale të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera, si edhe pyetjeve konkrete mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi gjatë procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues./abcnews.al

