U fut në banesë për të grabitur dhe plagosi 42 vjeçarin, flasin familjarët: Desh na vrau fëmijët

schedule13:43 - 11 Shkurt, 2020

schedule 13:43 - 11 Shkurt, 2020

Një tentativë grabitje në një banesë ka përfunduar me një të plagosur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30 në lagjen Nr.13 në zonën e Plazhit në qytetin bregdetar.

Astrit Thaçi sipas policisë është futur për të grabitur banesën e Rexhep Tereziut.

42-vjeçari pasi ndjeu zhurmën, e diktoi dhe doli në oborr duke u përballur me hajdutin, të cilit i ka kërkuar që të largohet dhe është përpjekur për ta ndaluar duke u përleshur.

Ditën e sotme në një dëshmi të siguruar nga gazetari Leonidha Musaj për ABC News, ka folur babai i 42 vjeçarit i cili mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën.

“Ishim duke konsumuar darkën. Nusja dëgjoi zhurmë tek shtëpia. Shkoi për të parë çfarë ishte ajo zhurmë. Kur shkoi tek dhoma gjumit u përballë me agresorin. Më pas ai u largua me shpejtësi, nipi dhe djali Rexhepi e ndoqën mbrapa. Në momentin që do ta neutralizonte ai e qëlloi me psitoletë. Qëlloi katër herë. Kemi parë tmerr me sy. Desh na vrau fëmijët, ishin të gjithë fëmijët vërdallë në oborr dhe nëpër shtëpi”, tha babai i 42 vjecarit.

Ndërkohë nusja e vëllait të 42 vjecarit të plagosur, Kimete Tereziu, në deklaratën e saj për ABC News tha:

“Dëgjova zhurma dhe shkova tek dhoma e gjumit, e gjeta aty. Më drejtoi pistoletën dhe më shtyu. Më tha të vrava po nxorre zë, më pas iku me vrap. Kaloi gardhin dhe tentoi të largohej, qëlloi katër herë. Sa herë që i afroheshin djali me kunatin (Rexhepin) për të kapur ai qëllonte”.

Personi që dyshohet se ka plagosur 42 vjeçarin është identifikuar ditën e sotme nga policia si Astrit Thaçi, 27 vjeç. Autori i dyshuar Astrit Thaçi tashmë është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!