Favorizimi i kompanisë së naftës ‘Terraoil Swiss’ i kushton shtetit 300 milionë USD

schedule21:04 - 10 Shkurt, 2020

schedule 21:04 - 10 Shkurt, 2020

Sipas vendimit të Gjykatës Administrative Vlorë, përzgjedhja e kompanisë zvicerane në koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tender nga ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe Albpetrol, duke rrezikuar t’i shkaktojë vendit një dëm të përllogaritur nga 250 deri në 300 milionë USD.  

Në mars 2018, kompania shtetërore e naftës Albpetrol mbajti një tender për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.

Më 9 maj 2018, ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë Terraoil Swiss (në atë kohë Transoil Group) dhe një muaj më vonë, i kërkoi Albpetrolit që të bëjë kërkesë në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit.

Jo të gjithë pjesëmarrësit në tender ranë dakord me vendimin e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe një prej tyre – kompania kanadeze Letho Resources Corp bëri padi në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Vlorës, i siguruar nga BIRN, tregon se Terraoil nuk i përmbushte kushtet për t’u kualifikuar në garën për tre fushat e reja naftëmbajtëse dhe aq më pak për t’u shpallur fituese.

Sipas gjykatës, kompania Terraoil Swiss sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

Gjykata vëren gjithashtu se tenderi është mbajtur në mungesë transparence nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ndërkohë që Terraoil Swiss është shpallur fituese, edhe pse kishte një ofertë financiare “më pak të favorshme” se pala paditëse për njërin prej vendburimeve, atë Cakran-Mollaj.

“Në vlerë monetare, oferta e “Letho” për palën shteti shqiptar është rreth 10 milionë dollarë më e mirë në krahasim me ofertën Terraoil Swiss (ish-Transoil Group sh.a),” shprehet Gjykata Administrative e Vlorës.

“Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e marrëveshjeve hidrokarbure 25 +5 vjet, rezulton se oferta e shoqërisë Letho Resources Corp. do sillte një përfitim për shtetin shqiptar 250-300 milionë dollarë më shumë se ajo e Transoil Group AG,” shton vendimi.

Në prapësimet e saj në gjykatë, kompania zvicerane ka pretenduar se padia ka qenë e pambështetur në ligj dhe prova, sepse “paditësi nuk ka ezauruar ankimin administrativ”. Sipas Terraoil, padia ishte bërë gjithashtu “jashtë afatit prej 45 ditësh.”

Kompania Terraoil Swiss sh.a. dhe ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN. Ndërkohë, Albpetrol mohoi të kishte favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë Transoil Group, tani Terraoil Swiss.

“Gjykata e Administrative e Shkallës së parë Vlorë, në vendimin e saj nuk është shprehur se Albpetrol ka favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë Transoil Group,” tha Albpetrol në një përgjigje me shkrim.

Vendimi i Gjykatës Administrative Vlorës është apeluar me 30 shtator 2019 në Gjykatën Administrative të Apelit.

Mungesë transparence

Më 8 mars 2018, Albpetrol shpalli një ftesë për shprehje interesi për kompanitë që ishin të interesuara për të lidhur marrëveshje hidrokarbure për tre fusha të lira nafte, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë. Sipas shpalljes së bërë nga Albpetrol, kompanitë e interesuara për vendburimet e naftës duhet të paraqisnin zyrtarisht formularin e aplikimit dhe të gjithë dokumentacionin përkatës deri me 31 mars 2018. Ky aplikim duhet të përbëhej nga dokumente autentike, të cilat do të dorëzoheshin veçmas për secilin vendburim.

Çdo palë e interesuar, për të plotësuar dokumentet dhe formularin e aplikimit duhej të merrte nga Albpetrol paketën e të dhënave për secilin vendburimin, për të cilën duhet të bënte një pagesë pre 6500 USD për çdo paketë të dhënash.

Harta e vendburimeve të naftës Amonicë, Cakran-Mollaj, Gorisht -Kocul

Në tender morën pjesë 9 kompani hidrokarburesh, ku përfshiheshin Bankers Petroleum, Transoil Group AG (më vonë Terraoil Swiss), Shandong Kerui Petroleum Equipment, Letho, Verssa Versatile, Pennine, Alcan, Fluid Oil dhe Zennith Energy.

Sipas Rregullores për Nënshkrimin e Marrëveshjeve Hidrokarbure, brenda 10 ditëve nga afati i fundit të dorëzimit të aplikimeve, Albpetrol dërgon në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë gjithë dokumentacionin. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, brenda 7 ditëve nga marrja e dokumentacionit të shoqërive aplikuese jep miratimin ose jo të shoqërisë fituese.

Megjithatë sipas Gjykatës, në tenderin për tre fushat naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë rregullorja nuk është respektuar. Albpetrol jo vetëm që nuk ka hapur negociatat sipas afateve ligjore, por nuk ka bërë asnjë njoftim publik për tenderin gjatë kësaj periudhe pas njoftimit fillestar për fshehje interesi.

Pasi kompania ‘Alcan’ ka ngritur padi ndaj Albpetrol, operatorët pjesëmarrës në tender kanë marrë vesh se kompania shtetërore e naftës kishte shpallur në mungesë transparence fituese kompaninë ‘Terraoil Swiss’ dhe nëpërmjet urdhrit të ministrit Damian Gjiknuri të datës 9 maj 2019, kishte filluar negociatat për lidhjen e marrëveshjes hidrokarbure.

Një investigim i mëparshëm i BIRN, hodhi dritë mbi lidhjet e kësaj kompanie me gjigantin rus të naftës, Gazprom si dhe akuzat për konflikt interesi.

Pasi ka marrë njoftim se Albpetrol kishte shpallur fituesin dhe po negocionte për lidhjen e kontratës hidrokarbure, kompania ‘Letho Resources’ i është drejtuar Gjykatës Administrative, e cila ka dhënë një vendim për sigurimin e padisë dhe pezullimin e procedurave të negocimit për vendburimin Cakran-Mollaj.

Edhe pse kualifikimi i ofertave për tenderin e tre vendburimeve të naftës është bërë në mungesë transparence, nga hetimi gjyqësor në Gjykatën Administrative të Vlorës ka rrjedhur se me datë 11 prill 2018, grupi i punës i ngritur në Albpetrol ka marrë në vlerësim 7 nga 9 ofertat e paraqitura dhe për secilën prej tyre ka evidentuar dokumentacionin e dorëzuar dhe nëse plotësonin kapacitet teknike dhe financiare.

Pasi ky vlerësim është pasqyruar në një procesverbal dhe i është dorëzuar Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, kjo e fundit ka vendosur që të vazhdojë negociatat me kompaninë Terraoil Swiss pa dhënë asnjë arsye pse e ka përzgjedhur këtë shoqëri për ta shpallur fituese.

Ndryshe nga sa ka vepruar Ministria e Energjetikës, sipas Gjykatës ftesa për shprehje interesi e Albpetrol dhe rregullorja “Për Miratimin e Procedurave për Marrëveshjet Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshjeve” përcaktonin se vlerësimi i ofertave dhe shpallja e fituesit do të bëhej sipas një sistemi pikëzimi në bazë të kapaciteteve teknike dhe financiare dhe kushteve që propozonte secila prej shoqërive aplikuese.

Nuk rezulton që nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës apo Albpetrol të jetë bërë vlerësimi dhe krahasimi i ofertave dhe dhënia e arsyeve për shpalljen e kompanisë fituese.

“Kjo e bën të dyshimtë të gjithë procedurën e ndjekur për vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e fituesit,” ka pretenduar Letho Resources në padinë e ngritur në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Ky pretendim është pranuar edhe nga gjykata, e cila ka konstatuar në vendim se vlerësimi i ofertave dhe shpallja e fituesit nga Albpetrol dhe MEI është bërë në mungesë të transparencës.

Kualifikimi i Terraoil

Faksimile e vendimit të Gjykatës Administrative të Vlorës, e cila anulon procedurën e shpalljes fituese të kompanisë Terraoil për vendburimin Cakran-Mollaj.

Nga 9 kompanitë që kanë marrë pjesë në tender, Albpetrol nuk ka vlerësuar ofertën e Zenith Energy dhe Penine Petroleum Coporation, pasi nuk kanë bërë pagesën prej 6500 USD për të dhënat e secilit vendburimi nafte.

Në procesverbalin e mbajtur nga grupi i punës me 11 prill 2018, Albpetrol ka kualifikuar 3 kompani –Bankers Pertroleum, Terraoil dhe Letho Resources dhe i ka dërguar ministrisë vlerësimin teknik dhe financiar si dhe dokumentacionin e dorëzuar nga secila shoqëri.

Duke iu referuar këtij procesverbali, Gjykata Administrative e Vlorës vëren se kompania Terra Oil Swiss kishte aplikuar për të tre vendburimet, por kishte dorëzuar vetëm një pjesë të dokumenteve të kërkuara nga thirrja për aplikim.

Dokumentacioni i paraqitur nga Terraoil Swiss për secilin vendburim rezulton të jetë formulari i aplikimit, bilanci i tre viteve të fundit, raportet tremujore të dy viteve të fundit dhe lista e personelit inxhiniero-teknik – në total 4 dokumente. Ndërkohë, thirrja për aplikim kërkonte dhe 6 dokumente të tjera, të cilat kompania zvicerane nuk i ka dorëzuar.

“Konstatohet se shoqëria (ish-Transoil Group sha,) aktualisht Terraoil Swiss nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion që të provonte plotësimin e kapaciteteve teknike të saj dhe ato për plotësimin e kapaciteteve financiare janë të mangëta,” shprehet gjykata.

“Kjo është një nga arsyet pse kjo shoqëri nuk mund të kualifikohej si prioritare kundrejt palës paditëse dhe në mungesë të plotësimit të këtij kushti, ajo duhet të s’kualifikohej,” shton Gjykata Administrative Vlorë në vendimin e saj.

Në Gjykatën Administrative të Vlorës, pala paditëse ka pretenduar se aplikimi i kompanisë Terraoil Swiss nuk duhej të ishte marrë fare në konsideratë nga Albpetrol, pasi ajo ‘nuk paguar në kohë tarifën për të dhënat e vendburimeve prej 6500 USD secili’. Gjykata vëren se pagesa për të dhënat e vendburimit duhej të ishte kryer brenda datës 31 mars 2018, por pala paditëse ka pretenduar se Terraoil e ka kryer pagesën më 4 prill 2018.

Albpetrol ka prapësuar në gjykatë se pagesa është kryer, por nuk ka paraqitur prova konkrete se kur është realizuar. Edhe Terraoil ka pretenduar në gjykatë se e kishte kryer në kohë pagesën për të dhënat e vendburimeve. Gjykata ka arritur në përfundimin se “ky pretendim i palës paditëse mbetet i paprovuar”.

Dëmi 300 milionë USD

Përveç kualifikimit në mënyrë të paligjshme, Gjykata Administrative e Vlorës thekson se shoqëria Terraoil Swiss nuk duhej të ishte shpallur fituese edhe për faktin sepse oferta e saj për vendburimin Cakran-Mollaj nuk ishte oferta ekonomikisht më e favorshme. Sipas vendimit të Gjykatës, kriteri i leverdisë ekonomike nuk është ndjekur nga Albpetrol dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

“Normalisht, ajo kompani që ka paraqitur kushtet më të favorshme do të përzgjidhej fituese,” shprehet gjykata. “Referuar akteve të paraqitura nga palët në dobi të këtij gjykimi, konstatohet se nuk është ndjekur një procedurë e tillë për shpalljen e fituesit dhe më konkretisht të burimit Cakran-Mollaj,” shton ajo.

Duke iu referuar kushteve që secila prej kompanive ka propozuar në seksion D të formularit të aplikimit, gjykata vlerëson se aplikimi i shoqërisë Letho Resources ka qenë më i mirë në krahasim me atë të kompanisë Terra Oil Swiss.

Nga 11 zëra që ka oferta drejtuar shoqërisë Albpetrol për vendburimin Cakran-Mollaj, oferta e shoqërisë Letho Resources Corp, është më e mirë në 8 zëra dhe e njëjtë në 3 zëra, për një vlerë totale që llogaritet në 10 milion USD në vit dhe nga 250 milionë USD deri në 300 milionë USD përgjatë gjithë kohështrirjes së kontratës koncesionare.

“Pra oferta e shoqërisë (ish-Transoil Group) aktualisht Terraoil Swiss në asnjë zë nuk është superiore kundrejt ofertës së “Letho Resources Corp”, shprehet gjykata.

“Nga MIE, si oferta më e mirë nuk duhet të ishte shpallur ajo e shoqërisë (ish-Transoil Group) aktualisht Terraoil Swiss por ajo e shoqërisë “Letho Resources Corp,” shton gjykata.

Gjykata ka vendosur anulimin e procedurave për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjes hidrokarbure për vendburimin ekzistues Cakran-Mollaj me shoqërinë Terraoil Swiss sh.a dhe njohjen e shoqërisë Letho Resources Corp si fituese për këtë vendburimin, si dhe dhënien kësaj të fundit të drejtën për të negociuar për lidhjen e Marrëveshjes Hidrokarbure.

“Si konkluzion, përzgjedhja e shoqërisë (ish-Transoil Group Sh.a) aktualisht Terraoil Swiss Sh.a pa dhënë arsye mbi mënyrën e vlerësimit dhe krahasimit të ofertave dhe duke qenë evidente se oferta e saj ishte më pak e favorshme në krahasim me palën paditëse, shoqërinë Letho Resources Corp, shtuar këtu edhe mungesën e transparencës, informimit, dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve, tregojnë qartë se shoqëria (ish-Transoil Group) aktualisht “Terraoil Swiss sh.a është favorizuar kundrejt palës paditëse,” përfundon Gjykata në vendimin e saj.
/Burimi: BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!