Tomori fitoi në Kuçovë derbin ndaj Naftëtarit dhe vazhdon të kryesojë grupin B të Kategorisë së Dytë. Një gol i Aldo Dervishit çerek ore përpara fundit i dhuroi tre pikët ekipit beratas. 31 pikë numëron Tomori pas javës së 12-të dhe ndiqet nga Maliqi dhe Albpetroli, me nga tre pikë më pak.
Juglindorët triumfuan 0-2 në Delvinë falë dygolëshit të Xakës. Albpetroli fitoi 2-0 në Patos kundër Butrintit, një rival i drejtpërdrejtë për ngjitjen një kategori më lart. Balla dhe Kumanaku shënuan golat e fitores.
Në ndeshjet e tjera ranë në dy fitoret me goleada të Tepelenës dhe Këlcyrës. Të parët mposhtën 4-2 Skraparin në fushën e tyre, ndërsa Këlcyra i shënoi katër herë Selenicës së vendit të fundit.
Në grupin A vazhdon të kryesojë Vora, që fitoi në shtëpi përballë Gramshit. 1-0 u mbyll takimi falë golit të Mziut dy minuta përpara fundit të ndeshjes. Ky sukses e ngjit Vorën në kuotën e 33 pikëve. Luzi nuk gaboi në fushën e vet me Spartakun. Gol i shënuar në pjesën e parë nga Donald Saliaj i dha fitoren ekipit të tij dhe e mban në vend të dytë, tre pikë larg kreut.
Shumë gola shënuan Sopoti dhe Mirdita, madje fituan me të njëjtin rezultat në fushat e tyre. Skuadra nga Librazhdi triumfoi 4-1 ndaj Vllaznisë B dhe renditet në vend të tretë me 26 pikë. “Poker” golash shënoi edhe Mirdita kundër Internacional Tirana.
Mirditorët mbajnë vendin e katërt me 24 pikë dhe janë 9 pikë larg Vorës kryesuese. Feston edhe Partizani B. “Demat” fituan 3-1 në shtëpi me Adën e Velipojës. Berdufi shënoi dy herë, ndërsa Gjinaj vulosi fitoren me “tris” të Partizanit, që mban vendin e pestë me dy pikë më pak se Mirdita. /abcnews.al