Metodologjia e re rrit shanset për çeljen e negociatave, Dedja: Vëzhgim më të rreptë për Shqipërinë

schedule15:23 - 29 Janar, 2020

schedule 15:23 - 29 Janar, 2020

Brukseli i ka dhënë shpresë të re qeverive të vendeve që pretendojnë hapjen e negociatave në një kohë më të afërt përmes një metodologjie të re të negoccimit me Bashkimin Europian. Sokol Dedja, zëvendësministër në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, shpjegoi në “ABC News” përfitimet që do të këtë Shqipëria nga kjo metodë e re e negocimit.

“Elementi i parë i rëndësishëm është që miratimi i një metodologjie të hapë rrugën për zhbllokimin e procesit më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila e nxjerr procesin e zgjerimit nga një ngërç që hyri në tetor”, theksoi Dedja.

Metodologjia e re rrit shanset për çeljen e negociatave, por nuk jep garanci.

“Automaticitet nuk mund të ketë sa kohë që do të jetë një vendim unanim i 28 vendeve anëtare. Skenari më optimist është që marrëveshja të arrihet në një kohë të shkurtër”, tha ai.

Negociatat përmes metodologjisë së re duket se do të venë Francën në një pozitë të re në raport me vendet pretendente për çeljen e negociatave.

“Presidenti francez është shprehur publikisht se nëse arrihet miratimi i një metodologjie të re hapet rruga për vendimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Dedja.

Mënyra e re e negocimit do të zgjasë më shumë procesin, por do të sigurojë përfitime të tjera që janë të pamundura aktualisht.

“Do të jetë proces i gjatë, sepse nuk është proces i lehtë arritja e të gjitha standardeve europiane. Shtrohet pyetja si të ruhet motivimi i shoqërisë dhe ideja është që të ketë përfitime financiare në bazë të plotësimitt të kushteve”, tha Dedja.

Mbledhja më e afërt e Këshillit Europian është më 25 mars, datë në të cilin pritet vendimi për çeljen e negociatave vetëm nëse institucionet e BE miratojnë metodologjinë e re që do të diskutohet në fillim të shkurtit nga Komisioni Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!