Vrau me bombë policin, arrestohet autori në Prizren

schedule10:24 - 29 Janar, 2020

schedule 10:24 - 29 Janar, 2020

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin në lidhje me sulmin me mjete shpërthyese të mbrëmjes së të mërkurës në Zhur të Prizrenit. Lajmi është konfirmuar për mediat në Kosovë nga Shaban Osmanollaj, zëdhënës në Policinë Rajonale të Prizrenit.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, konkretisht antidroga, zhvilloi një aksion në shtëpinë e Iran Badallit, i dyshuar si autor i sulmit ndaj policisë në të cilin mbeti i vrarë polici, Sami Thaçi me origjinë nga Malisheva dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Më parë policia kishte marrë dhe lajmërimin se autori kishte ushtruar dhunë në familje. Gjithashtu gjatë këtij shpërthimi, është lënduar edhe një fëmijë, djali 12 vjecar i autorit të sulmit. Ai ndodhet në Spitalin e Prizrenit e është jashtë rrezikut për jetën.

Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes tregoi se i dyshuari për sulmin është marrë me lëndë narkotike. Ai kishte montuar një bombë në portën kryesore të banesës së tij.

Mediat në Kosovë raportojnë se polici Artur Mrasori ka mbetur i verbuar nga shpërthimi i bombës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi në profilin e tij në Facebook duke shkruar se e kishte përjetuar me dhimbje të thellë lajmin për rënien në krye të detyrës të policit, Sami Thaci.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook duke shkruar se ndihej i tronditur me këtë rast.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli ishte ndër të parët që reagoi duke thënë se askush nuk mund të prekë burrat dhe gratë që i shërbejnë policisë së Kosovës./abcnews.al