Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e sheh pozitiv uljen e mazhorancës dhe opozitës në një tryezë për zgjedhjet e parakohshme, por shprehet i bindur se edhe pas kësaj reforme, kryeministri Rama nuk do ta çojë vendin drejtë zgjedhjeve të parakoshhme.
Në një intervistë për “ABC News”, Nishani thekson se mazhoranca është koshiente për konsumimin politik dhe se përballjen e rradhës që do të ketë në zgjedhje do të shkojë në opozitë.
“Mazhoranca e di fare mirë konsumin e madh politik dhe elektoral që ka te qytetarët. Kjo është e dukshme dhe nuk mbulohet dot me asnjë lloj propagande. Jam i bindur që 70-80% e qytetarëve shqiptarë e ndjejnë mirë peshën elektorale se në cilin krah të politikës ka shkuar. Nuk besoj se ka ndonjë interes mazhoranca për të shkuar në zgjedhje të prakohshme, do të mundohet që ta shtyjë me manipulime që i ka përdorur gjatë këtyre viteve për ta shtyrë deri në fund mandatin e saj”, tha Nishani.
Për Nishanin një sfidë të madhe ka edhe opozita për t’i ofruar një alternativë të besueshme qytetarëve.
“Çdo moment që do të kemi proces elektoral do të kemi edhe një rotacion të pushtetit. Është e ndjeshme që opozita po vjen shumë afër pushtetit, kjo nuk ka asnjë diskutim. Nuk është e mjaftueshme në gjykimin tim ndryshimi i numrave të përfaqësimit parlamentar. Është shumë e rëndësishme të kemi ndryshim cilësor dhe jo të numrave në Parlament”, tha ndër të tjera Nishani.
Thelbi i reformës zgjedhore për të cilën mazhoranca dhe opozita janë ulur në të njëjtën tryezë, sipas ish-Presidentit duhet të përqëndrohet te dënimi i krimeve zgjedhore.
“Problemi më i madh i yni ka qenë inkriminimi i proceseve zgjedhore, interferimi i krimit dhe i korrupsionit në proceset zgjedhore duke deformuar vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë”, tha ish-presidenti Nishani./aabcnews.al