Nëna dhe gjyshja e dy binjakëve që ndërruan jetën në Berat ditën e djelë të drithërojnë me dëshminë e tyre. Ato tregojnë se ata fëmijë nuk ishin sëmurë kurrë dhe ishin të vaksinuar. Ndërsa kërkojnë zbardhjen e shkakut të vdekjes së tyre, shprehen se dyshojnë tek qumështi industrial mund t’u ketë shkaktuar vdekjen.
Këtë të hënë nëna e tyre, Merushe Agalliu dhe gjyshja e tyre mes dhimbjes së thellë rrëfejnë për “ABC News” se si i gjetën pajetë vogëlushët dhe dyshimi i nënës për vdekjen e foshnjave është nga përdorimi i qumështit me kuti.
“Shkova për të parë fëmijët, i lashë mirë dhe vazhdova punët. Shkova ti shikoja sërish dhe ato nuk ishin mirë. I thirra kunatës, fëmijët kishin mbaruar. Më ra të fikët nuk mbaj mend çfarë u bë. Ato pinin qumësht me kuti, unë nuk e di se çfarë ndodhi, dua një të drejtë fëmijët ishin normalë”, është shprehur nëna e foshnjave.
I ati vetëm loton dhe nuk flet dot. Ndërsa nëna e tyre dhe gjyshja thonë se ata nuk kanë vuajtur nga asnjë sëmundje dhe kanë qenë në kontroll gjatë gjithë kohës madje ishin dhe të vaksinuar. Kjo familje të vetmin dyshim që ka e lidh me qumështin që ata konsumuan.
“Unë banoj në katin e parë, marr fëmijën në dorë dhe ai kishte mbaruar, dhe tjetri në fillim ishte i ngrohtë, por dhe ai ndërroi jetë shpejt. Mbajta nusen me shpresa shkuam në spital. Mjeku na priti bëmë deklaratat tona kaq. Unë nga mjeksia dua të di se çfarë sikleti kanë pasur fëmijët, zjarr nuk kishim në dhomë, nuk ka asgjë në dhomë, ato ishin shumë të qetë. Kanë bërë vaksinat dhe i kaluan me sukses. Qumështin e merrnim nga një shoqatë, unë nuk jam specialiste dhe nuk ia hedh fajin askujt,” ka thënë gjyshja e foshnjave.
Ndërsa halla e binjakëve zbërthen të gjithë sjelljen e nënës me binjakët dhe kërkon që mos fajësohen prindërit për neglizhencë.
“Fëmijët flinin të dy, i jepte për të pirë, i ndërronte. Kanë katër muaj e gjysëm fëmijët nuk kanë parë një gjilbërë”, tregon ajo.
“Ndoshta pakot mos janë të skaduara. Na ndodhi ne sot, nesër të mos i ndodhi një familjeje tjetër të kontrollohet çdo gjë. Sa i dha për të pirë pas 10 minutash fëmijët ndërruan jetë. Të mos fajësojnë prindërit”,shprehet me tej halla e bebeve që ndërruan jetë fatalisht.
Deri më tani mbetet enigmë shkaku se përse dy binjakët rreth 5 muaj ndërruan jetë./abcnews.al