Festivali “Sanremo” në Itali, që pritet të mbahet në ditët e para të shkurtit, është shoqëruar me mjaft polemika.
Shkak për këtë është bërë deklarata seksiste e prezantuesit të njohur, Amadeus. Ky i fundit duke prezantuar të fejuarën e Valentino Rosit, tha se e kishte zgjedhur si partnere në prezantin për faktin se “është e bukur dhe qendron një hap pas një burri të madh”.
Kjo deklaratë ka irrituar ish ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila bëri thirrje për ta bojkotuar “Sanremon”.
Për të folur për këtë, Kumbaro ishte e ftuar në emisionin “Provokacija” me Mustafa Nanon.
Sipas saj, e tmerron fakti që Amadeus i cilëson ato vajza si objekte.
“Mua as nuk më shkon ndërme të gjykoj “Sanremon”. Nuk kam ndonjë problem, unë thjeshtë nuk e ndjek më. Nuk kam kohë t’i ndjek festivalet e gjata. Por nuk është ky shqetësimi im, unë as nuk e gjykoj dhe nuk na takon të gjykojmë një festival italian. Të them të drejtën unë nuk jam shprehur as për festivalet që organizohen në Shqipëri të karakterit të këngës së lehtë, nuk jam profesioniste e asaj fushe, jam një spektatore modeste.
Nga ana tjetër nuk bëj gjykim as për këtë zotërinë që nuk e njoh fare. Mua më shokoi deklarata dhe do më shokonte njësoj sikur të ishte bërë në Itali, sikur të ishte bërë në Shqipëri.
Më tmerron fakti që se si mundet sot, në një nivel në shkallë të tillë në dritat e skenës të ketë kurajon dhe të mos ketë asnjë lloj sensibiliteti, apo autocensure dhe të cilësojë disa zonja që i ka përzgjedhur ky si një gjel vetëm sepse janë të bukura dhe këtu kam gjithë respektin për bukurinë si një cilësi njerëzore, natyrore.
Mua më trondit fakti që ky tipi i konsideron këto si objekte, madje si objekte të vetat”, shprehet Kumabro, teksa shton se ky seksizëm është akoma më i fortë në Shqipëri.
“Ajo që mua më tmerron është se ky seksizëm është akoma më i fortë në Shqipëri, është më shumë më i dhunshëm, më i egër. Nga këto deklarata vazhdon ngulitet mentaliteti i burrave por edhe grave të paemancipuara”, tha ajo./abcnews.al