Burrë e grua janë plagosur me armë zjarri në lagjen Allias në kryeqytet. Çifti Petrit dhe Afërdita Laze ndodheshin brenda banesës së tyre, kur disa persona kanë hyrë për të grabitur para në shtëpinë e tyre.
Çifti i bashkëshortëve, prindër të dy fëmijëve, kanë pikasur grabitësit me të cilët janë përleshur. Autorët kanë qëlluar drejt çitit me armë zjarri. Gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të vajzës së çiftit të bashkëshortëve, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Ndërkohë autorët kanë mundur të largohen, bashkë me një shumë parash, që kanë arritur të marrin në shtëpinë e çiftit.
Ngjarja ka ndodhur në vilën e tyre, në rrugën “Njazi Meka“.
ABC News ka mësuar se gjendja e të plagosurve është e rëndë, pasi burri, i cili mësohet se është rreth 60 vjeç, ka marrë një plagë të rëndë në zonën e barkut, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë një plagë në këmbë.
Policia e Shtetit dhe ekipe të repartit “Shqiponja“ kanë ngritur pika të shumta kontrolli, për të kapur autorët. Gjithashtu mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e grabitësve.
Tashmë ngjarja sipas grupit hetimor, është klasifikuar si grabitje, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për këtë ngjarje të rëndë./abcnews.al