Real Madrid dhe Sevilla e mbyllën pa gola pjesën e parë në “Santiago Bernabeu”, teksa të dy ekipet i nisën me një marsh më shumë 45 minutat e dyta. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 57-të me anë të Casemiros.
Braziliani mori një asist me finte nga Luka Jovic dhe lëshoi një parabolë të bukur duke mposhtur portierin mik. Festa e ekipit të Zidane zgjati pak, pasi Sevilla arriti të barazojë rezultatin.
Holandezi De Jong realizoi në minutën e 64-t. Bomberi i ekipit andaluzian insistoi gjatë, luftoi për një top me mbrojtjen e Realit, lëvizi bukur dhe lëshoi një goditje të saktë drejt portës së “Los Blancos”.
Vendasit nuk u demoralizuan dhe u rikthyen sërish në avantazh pas gjashtë minutash me po të njëjtin autor. Casemiro realizoi golin e dytë personal. Braziliani realizoi bukur me kokë pas krosimit të Lucas dhe në stadium shpërtheu festa. Ndeshja u mbyll 2-1 dhe Reali ngjitet në krye me 43 pikë në pritje të ndeshjes së Barcelonës. /abcnews.al
Real Madrid-Sevilla 2-1
(Casemiro 57′, 70′ / De Jong 64′)