Amir Rrahmani po zhvillon një sezon shumë të mirë me Hellas Veronën dhe Napoli ka përfituar për të siguruar shërbimet e lojtarit dardan. Nënkampionët e Italisë kanë arritur marrëveshjen me Veronën për shërbimet e mbrojtësit 25-vjeçar.
Siç u lajmërua edhe dje nga mediet italiane, kapiteni i Kosovës do të kryejë vizitat mjekësore ditën e sotme. Corriere dello Sport raporton se akordi final është arritur për shumën e 12 milionë euro + 2 milionë të tjera në formë bonusesh. Rrahmani do të mbyllë sezonin me Veronën dhe do të transferohet tek ekipi i Gattusos në verë.
Qendërmbrojtësi po zhvillon sezonin e parë në Serie A dhe deri tani numëron 19 ndeshje. Shumë ndërhyrje të pastra dhe vetëm dy kartonë të verdhë të marrë nga Rrahmani këtë sezon, një statistikë që tregon kualitetin që zotëron dhe rritjen e jashtëzakonshme. /abcnews.al