Avokati i Selami Shimshek ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit të Shimshek dhe ka shtyrë seancën gjyqesore për veprime konkluduese në lidhje me çështjen.
Në sallën e gjyqit ka qenë një përfaqësues i ambasadës turke në Tiranë. Ndërkohë në këtë seancë, nuk është bërë me dije asnjë detaj, në lidhje me Harun Çelik.
Selami Shimshek ka kërkuar vetëm të gjykohet me procedura të përshpejtuara, duke mos dhënë asnjë lloj sqarimi tjetër, pasi sipas tij të gjitha sqarimet i ka dhënë gjatë marrjes në pyetje, në prokurori.
Seanca është shtyrë për në datën 27 janar ora 10.00 ku prokuroria e Tiranës do të paraqesë konkluzionet përfundimtare, gjithashtu dhe masën e dënimit.
Mbetet për tu parë në seancën e 27 janarit, se cila do të jetë kërkesa e prokurorisë dhe provat kundër Shimshek.
Gazetarja Glidona Daci raportoi për abcnews.al se prokuroria dhe avokatët mbrojtës, kanë dyshime të forta se të dy shtetasit turk, Harun Çelik dhe Selami Shimshek, mund të janë spiunuar në momentin kur do të kalonin në aeroportin e Rinasit me anë të vizave kanadeze.
Avokatët e Shimshek kanë deklaruar gjithashtu se nga ana e autoriteteve turke, nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndalim, apo një vendim dënimi si për Shimshek, ashtu edhe për Çelik./abcnews.al