Presidenti iranian Hassan Rouhani e thirri homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar mbi rrëzimin tragjik të avionit ukrainas në Iran dhe kërkoi falje në emër të vendit të tij.
Rouhani shprehu ngushëllimet e tij për popullin ukrainas, si dhe për të afërmit e viktimave, tha zyra e presidentit ukrainas në një deklaratë.
“Rouhani kërkoi falje në emër të Iranit për tragjedinë që mori jetën e 176 personave. Kreu i Republikës Islamike gjithashtu pranoi plotësisht se tragjedia ishte shkaktuar nga veprimet e gabuara të ushtrisë së vendit të tij.”, thuhet në deklaratë.
Teherani gjithashtu u zotua t’i jepte “të gjithë ndihmën e nevojshme” grupit të ekspertëve ukrainas që po hetonte çështjen dhe premtoi se do t’i sjellë të gjithë ata që janë përgjegjës para drejtësisë.
Zelensky përshëndeti pranimin e fajit nga Irani dhe tha se i hapte rrugë hetimit të mëtejshëm të çështjes pa asnjë vonesë.
Ai gjithashtu tha se pret që Irani “të bashkëpunojë plotësisht” me Ukrainën “në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
Sakaq, ministria e Jashtme e Ukrainës “menjëherë do t’i dërgojë një shënim Iranit me një listë të qartë të të gjitha hapave të ardhshëm, përfshirë aspektet juridike të çështjes së kompensimit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se pala iraniane pajtohet me Ukrainën për këtë çështje.
Nga rrëzimi i avionit ukrainas humbën jetën 176 persona. Tragjedia erdhi pak ditë pasi SHBA vrau në një sulm me dron gjeneralin e lartë iranian, Qasem Soleimani. Në shenjë hakmarrjeje, Irani shkrepi dhjetëra raketa balistike në drejtim të bazave amerikane në Irak më 8 janar, ç’ka solli edhe rrëzimin e avionit./abcnews.al