Ansu Fati u hodh në fushë në minutën e 88-të nga trajneri Valverde në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Atletico Madrid. Barcelona u mposht, talenti i ekipit nuk pati kohën e duhur për të bërë diçka, por ia doli të vendoste rekordin e radhës.
Lojtari ofensiv me origjinë nga Guinea-Bissau theu rekordin 20-vjeçar në Superkupën e Spanjës. Ai u aktivizua në moshën 17 vjeç e 70 ditë dhe theu rekordin e Nano, një tjetër ish-lojtar i Barcelonës, i cili ishte 17 vjeç e 117 ditë kur u aktivizua në Superkupën e Spanjës në vitin 1999.
Fati ka vendosur disa rekorde këtë sezon, si shënuesi më i ri në historinë e La Ligës spanjolle, lojtari më i ri që ia del të shënojë dhe dhurojë asist brenda së njëjtës ndeshje, lojtari më i ri i Barcelonës që debutoi në Champions dhe lojtari më i ri në historinë e klubit katalanas që gjen golin në Champions League. /abcnews.al