Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi deklaron se sistemi aktual zgjedhor nuk po mbrohet vetem nga Partia Socialiste por edhe nga Partia Demokratike. Për “ABC News”, Patozi shprehet se me shtyrjen e temës së diskutimit për sistemin, PD po përfiton vetëm kohë, ndërsa shprehet i bindur se opozita nuk do zgjedhje të parakohshme.
Qëndrimi i tanishëm i PD-së dhe aleatëve të saj për të mos mos kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor nuk është i papritur për kreun e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi. Ai e sheh PD-në në një linjë me partinë në pushtet, PS lidhur me këtë çështje.
“Sistemi ka dy mbrojtës kryesorë, dy avokatë të mëdhenj dhe këto janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Në këtë kolazhë mund të fusim si një aktor të rëndësishëm edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në ndryshim nga viti 2008 që ishte në grevë urie, mes duket është përshtatur me këtë lloj sistemi”, tha kryetari i BD-së.
Koha e pamjaftueshme është argumenti që jep opozita lidhur me shtyrjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor për një moment të dytë por sipas Patozit kjo nuk qëndron.
“Është një gënjeshtër e pastër. Edhe kjo është një përallë, e cila është shpikur për të fituar kohë. PD dhe aleatët e saj sot nuk i duan zgjedhjet e parakohshme, pra bëjnë sikur i kërkojnë. Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë”, tha me bindje Patozi.
Prej sistemit aktual zgjedhor përfituesen kryesore kreu i Bindjes Demokratike e sheh partinë në pushtet, ndërsa për PD thonë se ka një mjet një nuk e përdor për të larguar PS nga pushteti përmes votës.
“Kjo qeveri që është e super korruptuar nuk mund të bjerrë ndryshe përveç se duke rrëzuar sistemin që e mbanë në këmbë. Është krejtësisht kundër produktive që opozita kryesore në vend nuk ia heq këtë mundësi por kërkon të përfitojë prej kësaj në rast se një ditë do të vi në pushtet. Kjo është fatkeqësia”, theksoi ai.
Beteja për një sistem tjetër zgjedhor do të jetë e gjatë dhe e vështirë thotë Patozi, ndërsa bën ftesë për bashkim të të gjithë zërave pro ndryshimit.
“Do të ishte një motiv i mjaftueshëm që të bashkoheshin rreth kësaj ideje forca politike, individë, shoqëria civile, shtypi si të vetmen rrugë që kemi që ti detyrojmë pengmarrësit e Republikës të lëshojnë terren”, u shpreh Patozi.
Referendumi mund të jetë një opsion për ndryshimin e sistemit që por jo tani.
“Ne do ta zgjidhim me Kushtetutë dhe me ligj specifik mundësinë e bërjes së një referendum në Shqipëri sepse korniza ligjore aktuale pothuajse e ka eleminuar atë”, u shpreh kreu i Bindjes Demokratike.
Këtë javë shoqëria civile dorëzoi në Kuvend 50 mijë firma të qytetarëve si dhe draftin me propozime për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Dorëzimi i firmave u bë në prani të deputetëve të opozitës së re që kërkojnë ndryshimin e sistemit./abcnews.al