Tirana luajti sot ndeshjen e parë miqësore përballë Analyaspor, sfidë që e humbi me rezultatin 2-1. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Emanuel Egbo tha: “Ishte ndeshja jonë e parë miqësore dhe në të vërtetë jam i kënaqur nga ajo çka djemtë dhanë në fushën e lojës.
Pavarësisht se rezultati nuk ishte në favorin tonë, sot aktivizuam një pjesë të mirë të futbollistëve që kemi në dispozicion. Disa lojtarë luajtën 90 minuta, por të tjerë u zëvendësuan për të ruajtur ndonjë dëmtim të mundshëm, mirëpo edhe nga ata mora sinjale pozitive.
Në përgjithësi ishte një test pozitiv dhe ekipi u shpreh mirë në fushën e lojës duke treguar ritëm dhe me kalimin e minutave fituam edhe besim. Sigurisht që është vetëm fillimi dhe pres akoma më tepër nga skuadra pasi Alanyaspor nuk është kundërshtari ynë në kampionat, por është një test i mirë për të matur forcat tona.
Do të vazhdojmë të punojmë fort pasi kushtet janë të mira, klima është e duhura dhe në program kemi edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur këtu në Antalya. E rëndësishme është të ruajmë ritmin dhe të vazhdojmë së bashku aty ku ne mbyllëm vitin 2019” përfundoi Egbo./abcnews.al