Bruksel- Bashkimi Evropian ka sqaruar se propozimi për forcimin e marrëdhënieve me Kanadanë nuk synon të krijojë një aleancë kundër Shteteve të Bashkuara, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi të mërkurën që Kanadaja të bëhet vendi i parë që do të marrë statusin e anëtarit të asociuar të Bashkimit Evropian.
Propozimi u bë në prani të kryeministrit kanadez Mark Carney.
“Propozimi për të forcuar partneritetin tonë me Kanadanë nuk drejtohet kundër askujt”, deklaroi Olof Gill, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështjet tregtare.
Reagimi i Brukselit erdhi pasi Donald Trump kritikoi nismën dhe paralajmëroi se mund të ndërmarrë masa tregtare ndaj BE-së.
“E gjej qesharake”, u tha Trump gazetarëve, duke iu referuar propozimit evropian. Ai shtoi se, nëse e konsideron këtë një “akt armiqësor”, mund të vendosë “tarifa shumë të ashpra” ose të ndërpresë tregtinë me Evropën për një sërë produktesh.
Përveç statusit të anëtarit të asociuar në BE, von der Leyen ka propozuar edhe përfshirjen e Kanadasë në Këshillin e Sigurisë Evropiane, një nismë që synon koordinimin e vendeve evropiane dhe partnerëve të tjerë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

